Kukësi u mposht 1-2 sot nga Partizani për javën e 32 në Superligë. Sfida e “Kukës Arena” pa një lojë të luftuar dhe për “kornizë”, teksa nuk munguan as shfaqjet e dhunës.

Me afro 4 mijë tifozë në shkallët e stadiumit, shishet dhe sendet e tjera fluturonin në çdo drejtim. Në ndeshjen e dytë të Kukësit në stadiumin e ri, uria e tifozëve për të parë ekipin ka qenë e madhe, duke e tepruar në disa raste.

Në fundin e ndeshjes, tifozët e vendasve u futën në fushë, disa për të përqafuar idhujt e tyre e disa për të hedhur shishe në drejtim të lojtarëve të Partizanit.

Të paralajmëruar dhe gjobitur në ndeshjen e parë kundër Laçit për hyrjen në fushë, duket se Komisioni i Disiplinës në FSHF nuk do tregohet kaq tolerant, me Kukësin që tanimë e ka gati gjobën, duke rrezikuar edhe ndeshjen pa tifozë në stadiumin e vet.