Në Zadar jeta kalon e qetë, veçanërisht kur dielli shkëlqen. Bregdeti dalmat është i bukur dhe ky port, i cili për shekuj ishte venecian, me kambanat e tij që imitojnë ato të sheshit të Shën Markut me luanë me krahë, prej vitesh ka parë fëmijët të luajnë futboll në sheshin e kishës. Më së shumti ata luajnë vaterpolo, siç ndodh zakonisht në portet kroate. Ose basketboll, pasi jo larg është Shibeniku ku ka lindur Drazhen Petroviç.
“Na pëlqen të garojmë, na pëlqejnë sportet. Nuk na pëlqen të humbasim”, thoshte Daniel Subasiç, një prej djemve më të famshëm të Zadarit. Këshilli Bashkiak i viteve të fundit u ka dhënë titullin qytetar nderi të qytetit sportistëve të ndryshëm. Njëri prej tyre, natyrisht është Luka Modriç, i cili është nga një qytet i vogël jo larg, por i rritur në Zadar, ku familja e tij kërkoi strehim gjatë luftës. Dy të tjerë janë portierë futbolli.
Të dy pjesë e kombëtares dhe që të dy specialistë në ndalimin e penalltive. Në Kupën e Botës 2018 në Rusi, Daniel Subasiç ishte një nga heronjtë kroatë, i cili arriti në finale falë pritjeve të tij. Si në raundin e 1/8-ave kundër danezëve, ashtu edhe në çerekfinalen kundër rusëve, Kroacia u kualifikua me penallti me Subasiçin duke bërë gjënë e tij. “E pranoj që është një pjesë e imja që gëzon tani.
Nerva? Pak. Kroatët nuk kanë humbur asnjëherë me penallti në Kupën e Botës dhe që nga pavarësia e tyre vetëm turqit ia kaluan në këtë art në “Euro 2008”. Atë ditë portier ishte Shtipe Pletikosa, lindur në Split. “Në Zadar ne presim më mirë”, bëri shaka Subasiç dje, duke folur për shtypin në vendin e tij.
Ndërkohë, heroi i ri kroat është 27-vjeçari Dominik Livakoviç, një qytetar nderi! Kur i dhanë titullin, mjaft persona u ankuan duke pasur parasysh se ai nuk kishte bërë ende asgjë në këtë botë. Po, ai ishte bërë portieri fillestar në Dinamon e Zagrebit, klubi që fiton çdo vit ligën kroate.
Por në shkallë ndërkombëtare, meritat e tij ishin të ulej në stol duke pritur ditën kur Subasiç të plakej. Njerëzit menduan se, me siguri, ia dhanë atë nder, sepse ai ishte djali i dikujt me peshë në Zadar.
Babai i tij, Zdravko Livakoviç, një inxhinier, kishte qenë sekretar shteti në Ministrinë e Transportit, Infrastrukturës dhe Çështjeve Detare gjatë qeverisë së qendrës së djathtë, të Bozhidar Kalmeta.
Familja Livakoviç është një ndër me të respektuarat në Zadar. Në fakt, fati i portierit kroat u duk i shkrua kur ai lindi: Do të shkonte në universitet dhe do të luante basketboll, pasi gjyshi i tij, radiolog i njohur, ishte drejtor i klubit të basketbollit, Zadar.
Kur u inaugurua pavijoni i ri i qytetit, me Zdravko Livakoviç në Këshillin Bashkiak si këshilltar dhe gjyshin në bordin e klubit, u vendos që të ishte pikërisht Dominiku që do të bënte koshin e parë të impiantit: “E nisa sportin me basketbollin, por shpejt u dashurova me futbollin.
Në seancën e dytë stërvitore më kishin zgjedhur edhe rolin, duke më parkuar në portë. Gjyshi më ka dhënë gjithmonë shumë mbështetje në karrierën time”, tha Livakoviç, i cili u zbulua nga Dinamo e Zagrebit në një intervistë kur ishte adoleshent.
Kjo përbënte pak problem në vendlindjen e tij. Në bregdetin dalmat, të gjithë duan Hajduk Splitin, klubi më i madh i bregdetit, ndërsa Dinamo urrehet. Pothuajse të gjithë lojtarët e mëdhenj që dalin nga Zadari përfundojnë te Hajduku, siç ka bërë Subasiç, por Livakoviç pranoi sfidën e Dinamos.
“Ndonjëherë, kur kthehem në shtëpi, më thonë gjëra që nuk më pëlqejnë shumë, duke qenë se duke luajtur për Dinamon e Zagrebit mendojmë se kam tradhtuar rrënjët e mia dalmate. Ndihem sikur jam përpara goditjes së një penalltie…”, përfundon duke qeshur Livakoviç.
Një fakt interesant është se Livakoviç ishte titullar në duelin e sezonit 2017/2018, ku Skënderbeu eliminoi Dinamon e Zagrebit, duke u kualifikuar në grupet e Ligës së Europës. Në Zagreb korçarët që asokohe drejtoheshin nga Ilir Daja, barazuan me rezultatin 1-1, ndërsa në “Elbasan Arena” ndeshja u mbyll me rezultatin 0-0. Në të dyja duelet Livakoviç luajti titullar.