Stenio Zhunior, golashënuesi kryesor i Partizanit në këtë sezon dhe një nga më të mirët në dy vitet e fundit, pritet të largohet në verën e ardhshme.
Kontrata e tij aktuale me të kuqtë përfundon në fund të muajit qershor dhe shanset më të mëdha janë që braziliani të mos vazhdojë te “demat” dhe të shikojë për një klub të ri, pse jo, edhe në Shqipëri.
Gjithsesi, shanset më të mëdha janë që ai të rikthehet në Brazil, pas një “shtegtimi” të gjatë në Europë, ku që nga viti 2013 ka luajtur në Bullgari (Liteks), në Maqedoninë e Veriut (Pelister, Shkëndija), Letoni (Riga) dhe së fundmi në Shqipëri si “dem”.
Ky sezon nuk ka qenë më produktivi për anësorin edhe për shkak të gjendjes jo të mirë në tërësi të ekipit, që pas shumë ndryshimeve u dobësua shumë në sulm dhe Zhuniorit i ra një peshë e madhe mbi supe.
Deri më tani, vështirësitë e gjithë këtij edicioni i kanë minimizuar kontaktet mes klubit dhe lojtarit për rinovimin dhe kjo çështje nuk është diskutuar ende konkretisht mes palëve.
Drejtuesit dëshirojnë të rinovojë me 30-vjeçarin, por vetë lojtari e sheh të konsumuar këtë bashkëpunim dhe vetëm një ofertë e parefuzueshme financiare do ta mbante në kryeqytet me Partizanin.
Në të kundërt, ish-anësori i Shkëndijës do të jetë i gatshëm të negociojë me klube të tjera për një transferim të mundshëm.
Në këtë sezon ai është autor i 8 golave në Kategorinë Superiore, teksa ka dhënë edhe 4 asiste për shokët, duke u bërë kështu lojtari ofensiv më produktiv për të kuqtë.
“KODET” – Postimet e Zhuniorit janë vështirë të deshifrueshme, por nga ajo që kemi kuptuar, një pjesë e tyre kanë lidhje me paratë. Nëse pas fitores me Teutën me shifrat 0-4 në muajin shkurt Zhunior postoi foton e njoftimit të golit të tij dhe shprehjen: “Tregoni lekët”, tashmë vjen me një tjetër mesazh të koduar.
Në një foto të tij duke u ushtruar, braziliani shkruan: “Duke punuar fort, sepse është falas”. Ikonat pas kësaj fjalie tregojnë doza ironie, teksa nuk mungon as grushti lart, që përdorej si përshëndetje në kohën e komunizmit.
Gjithsesi, nuk dihet përdorimi i saktë i këtij “emoji” nga braziliani. Megjithëse i koduar, nga postimi i brazilianit mund të nënkuptojmë një problem me financat në lidhje me klubin, që gjithashtu mund të jenë një shkak përse ai nuk dëshiron të vazhdojë me Partizanin në sezonin e ardhshëm. Përveç tij, në fund kontrate është edhe Alban Hoxha, e ardhmja e të cilit është gjithashtu në dyshim të madh.