Ilir Taflaj është një ndër njerëzit shumë aktiv në basketbollin shqiptar, teksa duke qenë ish-anëtar i kryesisë së FSHB, është gjithnjë shumë pranë zhvillimit të këtij sporti. Për këtë arsye më përpara, herë pas here ka kontribuar edhe financiarisht për të sjellë ndryshime në basketbollin shqiptar.

Duke folur në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, në lidhje me ecurinë e ekipit të Vllaznisë në basketboll, por edhe të basketbollit shkodran në terësi, ai ka dhënë mendimin e tij për basketbollin shkodran, teksa u shpreh se Vllaznia ka pasur luhatje me ndryshimet në presidencë.

Taflaj theksoi fort se duhet të punohet shumë me kategoritë dhe moshat e reja, ndërsa thotë se trajneri Bledar Gjeçaj ka bërë një punë shumë të mirë me vajzat e Vllaznisë,

“Mendoj që Vllaznia në basketboll ka pasur luhatje me këto ndryshime që janë bërë në presidencë. Besoj që duhet që me presidencën e re që ka ardhur, të arrihet një farë stabiliteti dhe mbi të gjitha duhet të fillohet të punohet me kategoritë e reja.

Për sa i përket femrave, problemi është bazik, sepse basketbolli shqiptar në këtë moment nuk po prodhon. Po ta shohim, Kombëtaren e Shqipërisë në basketboll, të gjitha vajzat pothuajse 5-shja e parë janë shkodrane. Janë të gjitha lojtare të prodhuara nga ekipi i parë i Vllaznisë, nga ekipet zinxhirë, të profesoreshë Xhuli Shestanit dhe profesor Renato Radojës. Pastaj, është një punë e jashtëzakonshme, që ka bërë trajneri Bledar Gjeçaj. Domethënë, ky është tregues shumë kuptimplotë që në Shqipëri nuk po punohet si duhet me kategoritë e reja, sidomos me femrat.

Ndryshimi mes basketbollit dhe futbollit është shumë i madh, sepse dihet që interesi është shumë i madh për futbollin. Interesi për basketbollin është më i vogël. Në Shkodër është relativisht i lartë, por në nivel republike si anëtar i kryesisë për 8 vite, i kam statistikat shumë të qarta, mund të them se interesi për basketbollin është relativisht i ulët. Edhe për volejbollin gjithashtu. Duke qenë interesi edhe më i ulët, sjell që puna me basketbollin është më e ulët. Vllaznia e futbollit ka hyrë në sistem. Jam i informuar për futbollin, por mund të informoj që për basketbollin edhe pse punohet prodhimtaria është thuajse zero.

Sjellja e lojtarëve të huaj, pse jo edhe me autobus, është handikapi i sportit shqiptar në përgjithësi, aq më tepër edhe i basketbollit. Me që e njoh më mirë, mund të them që ky është gabim i jashtëzakonshëm në politikën e drejtimit të një klubit. Unë kam drejtuar për shumë vit një klub në Mal të Zi, e drejtoj akoma. Kam bërë politikat e atij klubi, por gjithmonë jam mbështetur në prodhimin e elementëve vendas. Domethënë, u është dhënë përparësi atyre. Kemi marrë lojtarë, por njëkohësisht jemi mundur t’i japim përparësi lojtarëve tonë vendas. Domethënë, gjithmonë ekipi ka pasur 5-7 lojtarë vendas.

T’i kthehemi ekipeve zinxhirë, shumë e thjeshtë. Të merret një specialist. Unë jam i gatshëm të ndihmoj. Nuk ka asnjë lloj problemi. Seleksionimi i këtyre lojtarëve të talentuar dhe marrja e një trajneri cilësor, qoftë nga brenda, qoftë nga jashtë, do të bëhet që të arrihet, që të provojmë edhe njëherë lojtarë për ekipin e parë”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-anëtari i kryesisë së FSHB, njëherësh edhe ish-basketbollist i Vllaznisë, Ilir Taflaj.
Maringlen ZHIVANI