Erald Çinari vijon të jetë ende në pritje të vendimit të FIFA-s në lidhje me dënimin e tij për transferimin ilegjitim te Partizani. Edhe pse në media qarkullojnë shumë versione, Newsport.al u interesua pranë klubit kryeqytetas.
Ishte përfaqësuesi i zyrës juridike, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm, Gerald Burba i cili sqaroi se për shkodranin është kërkuar informacion shtesë në lidhje me dënimin e tij. Sipas juristit të klubit të kuq pritet vendimi i institucionit të futbollit botëror për të mësuar përfundimisht se si është interpretuar çështja “Çinari”.
“Për Çinarin kemi kërkuar një interpretim shtesë nga FIFA në mënyrë që të mos krijojmë ndonjë problem me përllogaritjen e dënimit. Siç dihet ka qenë bojkoti në mes. Nëse do të konsiderohet edhe pjesa e bojkotit, ai i bie që ta ketë shlyer dënimin. Nëse s’do të quhet përllogaritet që Çinari në mes të muajit shkurt të ketë shlyer periudhën 4-mujore të dënimi“, tha fillimisht ai.
Çështja “Çinari” dhe bllokimi i merkatos së Partizanit janë trajtuar si dy çështje më vete në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Ndërkohë në sistemin “TMS” rezulton se klubi i kuq vijon të jetë i pezulluar për “hyrje-daljet”. Megjithatë siç sqaron edhe Burba, kjo është thjesht një çështje proceduriale:
“Pas vendimit, duhet njoftuar edhe sistemi “TMS”. Pasi merret njoftimi, bëhen edhe përditësimet në këtë sistem për të cilin ju po më thoni“, ka përfunduar ai. Pra “De Juro” Partizanit i është zhbllokuar merkato dhe tanimë janë drejtuesit e klubit ata që duhet të lëvizin për të plotësuar organikën e kuqe.
Sakaq në sistemin “TMS” rezulton me merkato të bllokuar edhe klubi i Tiranës. Siç u njoftua më herët, pagat e padhëna ndaj Cisse-s i kanë kushtuar shtrenjtë bardhebluve./newsport/