Enur Totre është blerja më e goditur e Tiranës këtë Superiore së bashku me Vesel Limajn. I ardhur nga Shkëndija e Tetovës, ndonëse nuk luante prej gjashtë muajsh, Totre në këto 15 javë kampionat ka treguar veten e tij në fushën e lojës. I kudondodhur, madje edhe golashënues, mesfushori fitoi edhe një grumbullim me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut.

Mesfushori në një intervistë para ndeshjes me Partizanin, foli për golin e shënuar me Teutën si dhe sfidën me të kuqtë. Totre është i bindur se Tirana del kampione, sepse skuadra ka cilësi dhe këtë e tregon çdo javë në fushën e lojës.

Enur Totre është konsideruar nga klubi bardheblu si një lojtar i rëndësishëm në projektin e sezonit të ri. Në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, Totre ka qenë protagonist sezonet e fundit dhe ka pasur një rritje të vazhdueshme në aspektin profesional, duke tërhequr edhe vëmendjen e klubeve të reja.

Keni shënuar ndoshta golin e javës në sfidën me Teutën. Totre është shtylla e mesfushës së Tiranës?
Jam i lumtur për golin që shënova.

Gjithsesi, për mua në krye është suksesi i skuadrës dhe më pas vjen kënaqësia personale. Është hera e dytë që i shënoj Teutës. Ndoshta kjo është rastësore, por gjithsesi më bën të lumtur fakti që arrita të shënoja një gol të bukur.

Keni qenë më i miri i takimit ndaj Teutës. Dhatë edhe një top për Limajn. Si ju duket kjo skuadër?
Këto janë gjëra që ndodhin në fushë. Të gjithë mund të humbasin raste, por ne shënojmë bashkë dhe gabojmë bashkë. Kryesore që morëm tri pikët dhe jemi në krye.

Kemi treguar cilësi deri në këtë moment të kampionatit. Jemi në vendin e parë prej shumë kohësh. Pas këtij trepikëshi që morëm me Teutën, do të japim maksimumin për të marrë një tjetër fitore.

Keni qenë në fitoren e parë të Tiranës ndaj Partizanit. Mund të përshkruani emocionet e derbit?
Është një ndjesi që për herë të parë e kam përjetuar në Shqipëri. Në karrierën time, derbi i Tiranës është ndjesia më e mirë që kam përjetuar. Nga ana tjetër ne e kemi treguar në fushë sa cilësi kemi dhe dëshira të mëdha. Ndeshjen e parë e kemi fituar. E duam me ngulm të fitojmë edhe derbin e dytë me Partizanin.

Mund të themi tani që Tirana është skuadra pretendente, madje edhe kryesore për titullin kampion?
Normalisht që po. Siç e shihni, ne e kemi treguar dhe e tregojmë çdo ndeshje cilësinë dhe që jemi për titull. Është normale që të ketë ekipe të tjera në garë. Ka skuadra të forta ashtu si edhe vetë kampionati. Do të japim maksimumin që kemi dhe mendoj se në fund do të dalim ne kampionë.

Te Shkëndija janë bërë pishman për ju dhe ju duan që të ktheheni, paçka se ju e keni dhënë mendimin tuaj…
Jam nën kontratë te Tirana…