Hasan Lika ka qenë krahu i djathtë i Sulejman Starovës në sezonin 1992-1993, kur Partizani është shpallur kampion për herë të fundit. Sot, 26 vite më pas, trajneri tiranas drejton Vllazninë në Kategorinë e Parë. “Në atë vit që fituam titullin ndryshimi ishte se Partizani shënonte më shumë se ky aktuali, por kjo nuk do të thotë asgjë.

E përbashkëta është se ashtu si në atë sezon, Partizani ka frymë grupi dhe gjithnjë ia del kur është kështu. Quajeni viti i Partizanit, unë besoj se do të shpallet kampion”, thotë ndër të tjera Hasan Lika në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” enkas për të kuqtë.

Çfarë ju bind më shumë te ky Partizan?

Më bind kompaktësia si skuadër. Është një ekip shumë racional dhe i kujdesshëm në çdo ndeshje. Vërtet shënon pak, por gjithashtu pëson shumë pak gola, sepse ka luajtur për të fituar në çdo takim

Mund ta rrëzojnë nga froni aleancat që ndodhin rëndom në kampionatin shqiptar?

Partizani i fiton betejat vetë, pastaj sa i përket luftës, edhe me ndonjë aleancë nuk do të ishte keq.