Vllaznia u kualifikuar dje jo pa vështirësi për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë duke mundur me rezultatin e ngushtë 1-0 ekipin e Korabit.

Tashmë ekipi shkodran e sheh veten bashkë me Laçin, Teutën dhe Skënderbeun në turin e parafundit të këtij edicioni dhe si rrjedhojë atij mund t’i mjaftojë edhe një 90 minutësh për ta parë veten në finale e për të diskutuar fitoren e këtij trofeu.

Në mes këtyre tre skuadrave, ndoshta në pamje të parë shkodranët do të dëshironin Skënderbeun që mund të jetë një kundërshtar më i dobët nisur edhe nga renditja në kampionat, por trajneri Brdariç nuk është i këtij mendimi.

I pyetur në lidhje me ndonjë preferencë të tij për emrin e kundërshtarit me të cilin do të dëshironte të ndeshej në gjysmëfinale, trajneri i Vllaznisë është shprehur:

“Nuk ka shumë rëndësi se me cilin kundërshtar do të ndeshemi në turin tjetër. Ne presim shortin dhe jemi të gatshëm të përballemi me secilin prej tyre. Nuk kam ndonjë preferencë”./SHKODRA-SPORT.COM/