Agim Canaj, mori fitoren e parë me Vllazninë në kampionat duke mundur Besëlidhjen në derbi. Trajneri Canaj e kishte ndeshjen e tij të parë me shkodranët, ndërsa skuadra kuqeblu tashmë do edhe një pikë për të siguruar matematikisht rikthimin në Superiore. I kontaktuar nga “Vipsport.al”, trajneri Canaj ka theksuar se:

“Normalisht që ishte ndeshja e parë zyrtare, pasi unë punova një javë me ekipin dhe skuadra edhe në fushë dha më të mirën dhe meritën e fitores e kanë edhe kolegu im Lika.

Por, skuadra më bindi dhe ajo ide që unë kisha se skuadra ka 13-14 lojtarë shumë të mirë dhe me cilësi u vu re edhe me një kundërshtar si Besëlidhja, që pavarësisht rezultatit luan shumë mirë futboll sepse ka traditë.

Këtë javë e kemi pushim dhe duhet që të mendojmë për ndeshjet e tjera, ku na duhet edhe një pikë për të siguruar elitën”, – tha trajneri i kuqebluve.

Pyetjes sonë në lidhje me të rinjtë, trajneri Canaj tha se në ndeshjet e mbetura, sigurisht që do të marrin më shumë vëmendje: “Normalisht, unë i njoh ka shumë lojtarë të talentuar, por vetë objektivi ka ndikuar që ndoshta ata të mos luajnë.

Por, besoj se në të ardhmen, duke qenë se objektivin jemi drejt realizimit, ne do t’u japim shumë hapësira, sepse ata dihet që janë e ardhmja dhe klubi ka prioritet”, – tha Canaj në fund të prononcimit./vipsport/