Trajneri i Kastriotit, Emiljano Çela, foli pas triumfit 2-0 që skuadra e tij arriti në Kamzë ndaj Dinamos. Në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, ai u shpreh:
FITORJA- Edhe fitorja e parë me Teutën na dha tjetër impuls. Ne vazhdojmë punojmë, do ruajmë entuziazmin dhe intesistetin dhe do të kërkojmë që të përmirësohemi. Greca është një nga pikat më të forta. E ndërtojmë mënyrën e lojës për të shfrytëzuar aftësitë e çdo lojtari.
NDESHJA- I kishim marrë informacionet që Dinamo do të luante me 2 sulmuese. U munduam që të aplikonim presingun ultra ofensiv. Pas minutës së 20-të u vonuam dhe me vështirësi e futëm ekipin në ekuilibër. Në momentet që na digjnin linjën e presingut, patëm vonesa në ekuilibrin e ekipit.
VUAJTJET- Linjat vertikale patëm problem ti bllokonim në të dyja krahët për meritë edhe të kundërshtarit. Rexhinaldo në disa momente vinte në tërheqje dhe ishte i lirë. I kisha kërkuar 2 qendërmbrojtësve që të rrinin në rezen e vetë dhe mos lëviznin nga zona. Në pjesën e dytë ndryshuam mënyrë lojë, e bëmë me 2 para mbrojtjes, që gjithsecili të kishte rrezen e vetë.
DALJA E SALIT- Në momentin e parë, ajo që më erdhi në mendjen është të futesha në fushë dhe ti bëja sparkatë Denisonit.
BISEDA ME PRODANIN DHE FUSHA- Prodanit i thashë mos u mërzit, mundohu të luash më mirë ndeshjen tjetër. I uroj suksese. Realisht është fusha e vështirë, të gënjen, duket sikur është e thatë dhe e fortë, në disa momente ka lagështirë. Mund ta merrnin informacionin në çfarë fushë luanin, pasi kanë 2 ish-lojtarë të Kastritit, Bardhin dhe Prodanin.