Bylisi u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e radhës që do të luajë sot ne mesditë në “Adush Muçaj” me Vllazninë e Shkodrës. Bylisi do të jetë i plotë, ndërsa Dovedan, trajneri i mallakastriotëve tashmë ndihet më i “ngrohtë”, në saj edhe të afrimeve të shumta dhe cilësore që janë bërë këtë sezon. Në një prononcim që ka dhënë para ndeshjes me shkodranët, Dovedan kërkon të shfrytëzojë cilësitë e grupit dhe flet hapur edhe për afrimet e merkatos dhe ambiciet…
– Dy humbje në kampionat dhe fitore në Kupë, si ka nisur 2020 për Bylisin?
Skuadra ka vijuar ritmin ku e lamë, te paktën me loje dhe me frymën e grupit jemi në ritmin e duhur. Kontigjenti i pjesës së parë është ruajtur nga presidenca. Por kemi marrë dy humbje qe nuk kane qenë për meritën tonë. Gjithsesi duhet të shohim përpara….
– Si ka qenë merkato dhe a janë plotësuar kërkesat?
Po janë afruar shume lojtarë. Pasi është mbyllur pjesa e parë e sezonit, skuadra ka pasur largime, kryesisht lojtarë qe nuk na dhanë pritshmëritë tona dhe nuk iu përligjën synimeve. Por tani janë afruar e madje janë të dubluara çdo rol me kualitete dhe futbollistë cilësorë që kanë luajtur në ekipet nga vijnë.
-Bylisi është më i fortë se pjesa e parë e sezonit?
Sigurisht sepse edhe sikur të mbanim grupin është plus sepse lojtarët janë një hap më para, e njohin më mirë njëri-tjetrin dhe djemtë e rinj rriten edhe më shumë. Por kemi bërë edhe merkato. Mendoj se jemi shumë mirë. Tashmë të shohim përpara sepse na pret një garë e gjatë dhe e vështirë dhe kemi synimet tona.
-Me një grup kaq të plotësuar cilat janë synimet e Bylisit të Dovedan?
Sa më lartë, nuk është rastësi të kryesosh Superioren dhe të jesh i pari për shtatë apo tetë javë apo të jesh në vend te dytë për thuajse tërë sezonin e luajtur deri më tani. Por s’kemi arritur asgjë. Gara vazhdon, ne punojmë jemi forcuar dhe kemi synime që të jemi në vendet e kreut por edhe në Kupë….
– Bylisi ka shumë elementë me perspektivë, Hadroji, Janku, Ntepe, Ymeralilaj, Qardaku, Guindo, Ujka, Mellugja, Murataj apo Bajramaj…. Po punohet edhe për të ardhmen?
Skuadra është në rrugë të mbare. Fryma jonë është ajo e grupit dhe nuk varemi nga një, dy apo tre lojtarë por luftojmë të gjithë. Ju e shikoni freskinë fizike. Nuk dua të përmend emra, unë e kam thënë kam djem heronj që luftojnë fortë dhe kjo eksperiencë këtë sezon do të sjell një Bylis shumë më të fortë në një të ardhme të afërt apo dhe për të ardhmen e lojtarëve.
– Përpara keni Vllazninë, si është situata ne ekip?
E vlerësoj Vllazninë për nga emri dhe kualitetet, por duam fitoren e parë këtë sezon e aq më tepër që luajmë në fushën tonë.
-Një mesazh për tifozët….
Tani ata e dinë dhe vetë që Bylisi nuk është rastësi, dua që të vijnë te na mbështesin edhe jashtë me mundësinë e tyre sepse kjo skuadër është e Ballshit dhe Mallakastrës. Së bashku jemi shumë më të fortë…
-Dy ndeshje me kuqeblutë, ballshiotët kanë katër pikë
Bylisi, në të dyja sfidat që ka luajtur këtë sezon me shkodranët ka marrë një pikë në Ballsh si dhe ka fituar në Shkodër 0-1 me gol të Jankut. Ballshiotët synojnë fitoren në ndeshjen e tretë zyrtare të këtij sezoni. Kam dëgjuar që këtu tifozët kanë qenë të shumtë ndaj edhe këtë sezon ta bëjmë për t’u mbajtur mend në historinë e Bylisit… /VipSport/
Formacioni i mundshëm i Bylisit: Hidi, Hadroj, Goxha, Shkalla, Peposhi, Ntepe, Murataj, Mëllugja, Ndreca, Guindo, Bajramaj