Izmir Pelinku, Denis Dyca dhe Emrah Fikaj janë konsideruar prurje të rëndësishme nga drejtuesit e Veleçikut të cilët besonin se me to, skuadra do të ishte më e fortë në sezonin e ri, por paraqitja e tyre e parë ka lënë për të dëshiruar në humbjen 0-3 ndaj Erzenit.
Ka qenë vetë tekniku Besnik Duli ai që “i ka ngelur në klasë” këta futbollistë në prononcimin e dhënë për mediat pas ndeshjes kur është shprehur:
“Kishim përballë një kundërshtar jashtëzakonisht të mirë i cili në pjesën e parë na vuri nën trysni gjatë gjithë 45 minutave dhe kishte superioritet mbi ekipin tonë. I fitoi të gjitha dyluftimet sepse ekipi ynë në këtë pjesë nuk shprehur asgjë nga vlerat e tij. Erzeni e fitoi pjesën e parë falë golit që shënoi me 11-metërsh, i cili erdhi për gabim të mbrojtjes tonë.
Në pjesën e dytë ndërkohë ekipi ynë ndryshoi, luajti futboll, krijoi edhe raste, mbajti topin në qarkullim por shijakasit me pjekurinë e tyre dhe me zgjuarsi, me dy kundërsulme arritën të na godasin sërish duke shënuar edhe dy gola të tjerë, prapë për fajin e mbrojtjes tonë e cila nuk ishte në lartësinë e detyrës në këtë takim.
Aktivizimi i Kullës dhe Shekajt rezultoi i duhuri sepse i dhanë tjetër ritëm lojës së ekipit dhe e justifikuan plotësisht besimin tim. Kurse për sa i përket lojtarëve të tjerë që ishin prurje të reja në ekip, mendoj se asnjëri prej tyre nuk e justifikoi besimin e dhënë me paraqitjen që bënë në fushën e lojës.
Unë pres që katër lojtarët e dëmtuar të rikthehen sa më shpejt në ekip sepse kemi nevojë për ta, pikërisht për Kaçubajn, Ujkajn, Borshin e Rajçeviq”.