Investimet e bëra në merkaton e verës për të ndërtuar një Erzen pretendent, kanë filluar të japin shenjat e para të realizimit të këtij projekti. Në ndeshjen e javës së parë, atë të luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” ndaj Veleçikut, shijakasit kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0.

Një gol i shënuar me 11-metërsh në pjesën e parë dhe dy të tjerë në të dytën, i kanë dhënë atyre një fitore të pastër në rezultat dhe njëkohësisht shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e mëtejshme në kampionat.

Duke folur pas përfundimit të takimi, trajneri i këtij ekipi Gentian Begeja ka vlerësuar koplikasit për shpirtin e garës që treguan në fushën e lojës, por nga ana tjetër bëri të qartë se Erzeni është krijuar krejt ndryshe dhe me objektiva krejt të tjera prej tyre.

“Nga mënyra si është ndërtuar ekipi ynë këtë sezon, sigurisht që i kemi të qarta objektivat tona sepse synojmë ngjitjen në Superligë. Sa i takon ndeshjes me Veleçikun, mendoj se u zhvillua një ndeshje shumë e fortë sepse kishim përballë një skuadër që luftonte fort në çdo sektor të fushës.

Megjithatë mendoj se e merituam fitoren, rezultati madje mund të ishte edhe më i thellë. Gjithsesi unë jam shumë i kënaqur me skuadrën time dhe si ndeshje e parë e kampionatit, dua t’i japë përgëzimet e mia për paraqitjen e bërë”- është shprehur Begeja.
www.shkodrasport.com