Tjetër fitore për ekipin e Vllaznisë së femrave në kampionat, duke mundur një tjetër pretendente siç është Apolonia e Fierit. Vajzat shkodrane madje kanë fituar në transfertë me rezultatin e thellë 6-1.

Që në minutën e 2-të ka qenë Luçie Gjini që ka kaluar në avantazh Vllazninë ndërkohë që në ’24 do të dyfishonte shifrat Esmeralda Franja. Në pjesën e parë do të shënonte sërish Luçie Gjini dhe kësisoj këto 45 minuta do të mbylleshin në shifrat 3-0.

Në fillimin e së dytës ka qenë Megi Doçi që brenda tre minutash ka shënuar dy herë në ’55 dhe 58 duke i thelluar edhe më shumë shifrat. Sakaq, Apolonia ka fituar një 11-metërsh në minutën e 80-të që është kthyer në gol nga Levanaj.

Megjithatë në fundin e takimit do të kishte sërish gol për Vllazninë dhe përsëri nga Gjini që në ’88 do shënonte golin e tretë personal dhe të gjashtin për Vllazninë.

Përfundimisht fitore e thellë 6-1 për të, e teta në kampionat dhe vazhdon të kryesojë me pikë të plota 27 bashkë me Tirana AS, ekip ky që fitoi sot ndaj Kinostudios 4-1. Në këtë mënyrë përballja mes këtyre dy ekipeve kryesuese javën e ardhshme në Shkodër do të vendosë edhe skuadrën “kampione të dimrit” për këtë sezon.
© shkodrasport.com