Pas fitores në gjysmëfinalen e parë të “play off”-it përballë Klub Tiranës, Vllaznia në basketboll për meshkuj ka nisur përgatitjet për takimin e dytë. Kuqeblutë do të udhëtojnë sot drejt Tiranës, ku pritet të zhvillohet një sfidë mjaft e fortë. Vllaznia e fitoi 78- 66 sfidën e parë dhe tashmë kërkon që të njëjtin sukses ta përsërisë edhe në ndeshjen e dytë për të siguruar kështu kualifikimin në finale. Trajneri i kuqebluve, Bledar Gjeçaj, tha: “Ndeshja e parë ishte e mirë për ne. Arritëm të marrim një fitore që natyrisht vlen shumë. Gjatë gjysmës së parë të lojës ishim më lart se Klub Tirana, ndërsa në dy periodat e fundit kundërshtari u rrit pak, por ne arritëm ta administrojmë takimin. Disa basketbollistë nuk dhanë maksimumin e tyre, ndoshta edhe nga emocionet, duke qenë se pallati i sportit ishte i mbushur, por shpresojmë që kjo të mos përsëritet në përballjen e dytë. Ne jemi më pranë kualifikimit, megjithatë kjo nuk do të thotë gjë. Asgjë nuk ka përfunduar, pasi janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Duhet të stërvitemi mirë dhe të jemi me këmbë në tokë, përndryshe euforia e tepërt të dëmton. Patjetër që ne shpresojmë që në sfidën e dytë të marrim një tjetër fitore. Basketbollistët gëzojnë një formë të mirë, e cila na jep një siguri për sfidën që do të luajmë në transfertë. Ky është objektivi ynë dhe besojmë se pas një pune shumë serioze mund të jemi një prej dy ekipeve finaliste”, – ka deklaruar Gjeçaj.
Senad Nikshiqi