Ish-trajneri i Dinamos së Tiranës, i cili aktualisht drejton kombëtaren kortarë, Zlatko Daliç, ka dhënë përshtypjet e tij të para për shortin e Kampionatit Europian, ku Kroacia ndodhet në të njëjtin grup me Shqipërinë, Spanjën dhe Italinë.

“Na pret një punë e vështirë”, ka qenë reagimi i parë i Zlatko Daliç pas shortit të Euro 2024, i cili e vendosi kombëtaren kroate në “grupin e vdekjes” me Spanjën, Italinë dhe Shqipërinë.

Sipas mediave kroate, trajneri pret ndeshje të mëdha, por edhe një atmosferë madhështore, për të cilën do të kujdesen tifozët kroatë.

“Shorti është i vështirë dhe dihet se kush janë rivalët. Ndeshjen hapëse e kemi kundër Spanjës në Berlin, do të jetë spektakël”, tha Daliç për HRT.

“Italianët janë kampionë të Europës, kanë cilësinë e tyre dhe një ekip shumë të mirë. Duhet të studiojmë më hollësisht shqiptarët, ata ishin shumë të mirë në kualifikime. Ajo ndeshje e dytë mund të jetë faktori vendimtar, shpresoj që të përgatitemi mirë dhe të jemi të shëndetshëm në gjashtë muaj, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua.

Ne duam të kalojmë fazën e grupeve. Gjermania është mikpritëse për ne, duhet ta rregullojmë kampin tani, por kudo që të luajmë do të ketë mbështetje të madhe nga tifozët. Ne do të kemi kushte shumë të mira në atë anë”, u shpreh Daliç.