Trajneri i skuadrës gjermane, Joakim Lëv, u tregoi edhe një herë tjetër vendin kritikëve të tij. 61-vjeçari u kritikua shumë pas humbjes me Francën për skemat që përdori, veçanërisht për mbrojtjen ku Lëv po luan me tre.

Por, gjithsesi, tani mund të heshtin të gjithë të paktën për momentin, pasi Gjermania duket se është në rrugën e duhur, i këtij mendimi ishte dhe Lëv, një ditë pas ndeshjes.


4-2 ndaj Portugalisë, sa të kënaqur jeni?

Ishte një ndeshje e madhe nga ana jonë ndaj një kundërshtari shumë të fortë teknikisht. Pasi kaluam në disavantazh treguam një moral të lartë dhe dëshirë për të fituar. Ishim dinamikë dhe nuk e ulëm kurrë ritmin. Arritëm të thyenim mbrojtjen portugeze që për hir të vërtetës është nga më të mirat.

Luajtët shumë përpara që në minutat e para, ishte ky plani juaj?

Nuk kishim se çfarë humbnim. E dinim që luhej për gjithçka. Një hap fals do të na kushtonte shumë dhe do të thoshte që kualifikimi nuk do të ishte më në dorën tonë.


Sa të kënaqur jeni me Kimishin dhe Gësensin?

Loja jonë do të varej shumë nga këta lojtarë. Në fund rezultuan decizivë dhe për këtë më vjen mirë pasi tregon që punë që kemi bërë në stërvitje ia ka vlejtur. Të dy luajtën shumë në thellësi dhe afër zonës duke ushtru ar presion te kundërshtari. Jam shumë i lumtur, vërtet pasi janë lojtarë që japin gjithçka për skuadrën.


Çfarë djaloshi është Gësens?

Lojtarët janë shumë të afërt me të, pasi është shumë i sinqertë dhe i ngrohtë. Është shumë aktiv në komunikim dhe thotë gjithmonë atë që mendon.


Mund të jetë kjo fitore një shkëndijë për turneun?

Këtë nuk e di. Mund të them që fitore të tilla të japin forcë, edhe pse kurrë nuk kemi dyshuar të kundërtën. E dinim që mund t’i bënim më mirë gjërat.

Ndeshja e radhës do të jetë më e fortë dhe më e rëndësishme pasi nëse nuk fitojmë, atëherë ajo që bëmë ndaj portugezëve nuk do të vlejë për asgjë. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të shohim se sa larg do të shkojmë. Në turne ka shumë skuadra të forta, por ato që bëjnë ndeshjet e para më mirë, janë më favorite për të fituar në fund.


Disa lojtarë patën probleme muskulore. Do të jetë ndryshime në ndeshjen e radhës?

Humels vuajti sërish dëmtimet poshtë gjurit, te Gësens ishin aduktorët. Gyndoan pati gjithashtu probleme, por që për fatin e mirë nuk duket serioze. Rëndësi ka që të mos jenë probleme muskulore pasi aty na duhet të ndalemi. Besoj se kjo vjen nga ngarkesa e madhe, por këta lojtarë që përmenda nuk rrezikojnë asgjë për ndeshjen me Hungarinë.