Trajneri i Juventusit, Mauricio Sarri, nuk është parë aspak i qetë në mikrofonat e rrjetit “RAI Sport”, pas finales së humbur me penallti kundër Napolit.

Zhgënjimi është i madh, por në të njëjtën kohë është 61-vjeçari që duhet të trembet më shumë pas kësaj finaleje të radhës që sërish nuk fiton, duke kujtuar edhe Superkupën e Italisë, të humbur përballë Lacios.

Sarri, sa i madh është zhgënjimi pas kësaj disfate?

Ka zhgënjim tek unë, te lojtarët, te tifozët dhe te drejtuesit, por e vërteta është që në këtë moment nuk mund të shprehim më shumë se kaq në fushë. Faktori që ndikon është ai fizik, por gjithashtu edhe disa mungesa të rëndësishme që kemi, bëjnë të vetën.

Këtij Juventusi duket sikur i mungon agresiviteti, ligësia…

Në këtë moment, problemi më i madh është që edhe në aspektin individual po hasim vështirësi, pasi disa lojtarë nuk kanë formën që kishin përpara pauzës. Dhe pikërisht ky fakt nuk na lejon që kombinimet e mira që bëjmë në shumë aksione, në mjaft episode gjatë lojës, t’i transformojmë në gol, apo të paktën të trembim kundërshtarin.

Kundër Napolit mendoj se luajtëm shumë më mirë sesa me Milanin. Bëmë presing shumë lart, por këtë ritëm nuk arrijmë dot që ta mbajmë për 90 minuta dhe kjo na dënon.

Këto ndeshje edhe Kristiano Ronaldo është parë fare pak i rrezikshëm, apo jo?

Kristiano ka të njëjtin ritëm që kanë edhe të tjerët. Për momentin po i mungon vrapimi, shpejtësia, ajo shkëndija e vogël që e diferencon nga të tjerët për të vulosur ndeshjen, apo qoftë për të lënë gjurmën e tij në ndeshje.

Dhe sigurisht që në futboll, nëse nuk arrin të vraposh me ritmet e duhura, vështirësitë janë më se normale. Gjithsesi, në këtë periudhë të sezonit, mendoj se diçka e tillë është më se normale, edhe për një si Kristiano Ronaldo.

Çfarë u thatë lojtarëve pas ndeshjes?

Lojtarëve nuk u thashë asgjë, sepse ishin që të gjithë shumë të nervozuar dhe të zhgënjyer. Mendoj se në këtë moment dhe pas një humbjeje të tillë, është më mirë për mua dhe për të gjithë, për të qëndruar në heshtje. Do të kemi kohë që të flasim ditën tjetër, pasi të kthehemi në Torino.