Egnatia do jetë kundërshtari i rradhës i Vllaznisë në kampionat. Rrogozhinasit do vizitojnë nesër Shkodrën, me ndeshjen që do luhet në orën 16:30, në stadiumin “Loro Boriçi”. Duel ky i vlefshëm për raundin e 13-të të Superiores dhe që do jetë ndeshja e parë në kampionat për të dy ekipet pas kthimit nga pushimet. Ku duhet theksuar se Vllaznia luajti edhe në Superkupë para pak ditësh, ku u mposht 3-2 nga Tirana.
Patjetër pretendimet e kuqebluve në këtë edicion janë shumë ambicioze. Dhe ndeshjet shtëpiake shndërrohen në “detyrë” për të marrë pikët e plota. Por edhe Egnatia është një rival që nuk mund të nënvlerësohet aspak. Ardhja e trajnerit Duro në krye të rrogozhinasve ka ndryshuar fytyrën e ekipit. Ku në javët e fundit, Egnatia ka marrë pikë të rëndësishme në kampionat.
Duke qenë kështu vetëm 1 pikë pas Vllaznisë në klasifikimin e përgjithshëm. Edhe ndeshja e fazës së parë e fituar në shifrat 3-0 nga Egnatia përballë shkodranëve, duket se shton akoma më shumë motivimin për të bërë mirë në Shkodër. Investimet në Rrogozhinë kanë qenë të mëdha në këto 2 vite dhe pretendimet janë më të mëdha se thjesht mbijetesa.
Përveç Vllaznisë, Egnatia në këtë edicion ka mposhtur edhe Partizanin apo edhe Kukësin e Laçin. Duke treguar kështu për forcën e këtij ekipi dhe se nesër patjetër duhet kujdes ndaj tyre për të arritur suksesin. Megjithatë një duel mjaft interesant pritet nesër në “Loro Boriçi” mes Vllaznsië dhe Egnatias.
Endri ÇINARI