Superliga uli siparin për javën e 28-të, ku spikati fitorja e thellë e Vllaznisë përballë Apolonisë si dhe përmbysja e Partizanit ndaj Kastriotit të Ramazan Ndreut. Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët e javës së lamë pas si dhe trajnerin fitues. Ne te perzgjedhurit jane edhe tre futbollite te Vllaznise dhe pikerisht mbrojtesit Tim Brdariç, Erdenis Gurishta dhe Victor da Silva.

Në portë spikat Pano Qirko e deri në majën e sulmit me Ildi Grudën që shkëlqeu ndaj korçarëve. Edi Martini zgjidhet sërish si trajneri më i mirë, pasi arrin të marrë një fitore të vështirë ndaj Skënderbeut duke ruajtur pozitat në vendin e parë në tabelën e klasifikimit.

FORMACIONI I JAVËS

Pano Qirko – Kishte përballë një Laç të uritur që synonte vetëm fitoren. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro sulmon fort, megjithatë portieri i Bylisit ua bën të vështirë shënimin e golave. Edhe pse ekipi i tij humb, vlonjati tregon se është në formë dhe pavarësisht mbijetesës ose jo të Bylisit, ai duhet të qëndrojë në elitë.

Rustem Hoxha – Qendërmbrojtësi i Teutës shkëlqen ndaj Skënderbeut. Pozicional në prapavijë, nis bukur dhe saktë aksionet si dhe bëhet mur i pakalueshëm për kundërshtarin. Me Renato Arapin merret vesh mirë dhe jo më kot janë mbrojtja më e mirë e kampionatit me 11 gola të pësuar.

Tim Brdariç – Në Shqipëri është paragjykuar se është djali i trajnerit të Vllaznisë, Thomas Brdariç. Për herë të parë debutoi dje kundër Apolonisë. Pavarësisht formës së kundërshtarit vendosja e tij në fushë tregoi sinjale fantastike. Dhe jo vetëm, goli i shënuar me kuqeblutë tregoi se shkodranët kanë fituar një lojtar të mrekullueshëm për të ardhmen.

Esin Hakaj – Goli i dytë i shënuar në karrierën e tij dhe i pari me fanelën e Partizanit. Mëngjërashi tregoi vlerat e tij ndaj Kastriotit. Ishte ai që barazoi dhe gjatë gjithë 90 minutave mjaft aktiv në linjën e majtë. Padyshim që meriton një vend në këtë 11-she të kësaj jave.

Edison Ndreca – Realizoi një gol në minutën e fundit të ndeshjes me Bylisin, por veç kësaj, ishte mjaft aktiv gjatë 90 minutave. Futbollisti i linjës së majtë shkëlqen me mallakastriotët, pikë referimi për trajnerin Dovedan dhe më e rëndësishmja, thuajse gjithmonë në të njëjtën formë.

Erdenis Gurishta – E nisi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme aq sa u trumbetua për një ftesë të Kombëtares. Edhe pse kjo nuk shkoi në drejtim të tij, ai vijon të shkëlqejë me fanelën e Vllaznisë. I jashtëzakonshëm në linjën e djathtë, i palodhur sa në mbrojtje dhe në sulm.

Ardit Deliu – Nëse Arditi është në formën e tij, Laçi pa pikë mëdyshje del me 3 pikë nga fusha e blertë. E në fakt kështu ndodhi. Mesfushori ishte në ditën e tij, shkatërronte aksionet kundërshtare e ndërtonte mjaft bukur duke vënë gjithmonë në vështirësi ballshiotët. Ky sezon ka qenë ndër më të mirët për të.

Victor Da Silva – 2 gola të shënuar në një ndeshje dhe shumë aktiv gjatë gjithë 90 minutave. Lëviz shumë me topin, i kudondodhur për të ndihmuar Vllazinë. Edicioni futbollistik nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për të. Së fundmi ka gjetur formën duke rifituar besimin e trajnerit Thomas Brdariç.

Agim Ibraimi – Mjafton të shohësh golin e realizuar kundër Tiranës dhe mund të mos i kushtosh rëndësi aspak performancës së tij gjatë 90 minutave. Një “perlë” që duhet vendosur në kornizë për këtë javë të 28-të të Superiores. Shiriti i kapitenit në krahun e tij, i jep të drejtë trajnerit Josa sepse padyshim është lideri i këtij ekipi.

Albin Gashi – Performanca e tij ka qenë me shumë ulje-ngritje, por ndaj Tiranës ishte në ditën e tij. Arrin të shkëlqejë ndaj bardhebluve, jep një asist që mund të shndërrohej në gol për Ezen, por arbitri gaboi me vendimin e tij.

Ildi Gruda – Shpërblen më së miri besimin e dhënë nga trajneri Edi Martini. Të ardhmen e ka përpara e ndoshta kjo është arsyeja kryesore se pse nuk ka qenë në fushë gjithmonë për 90 minuta. Protagonist i fitores në transfertën korçare, arrin të fitojë penalltinë që shndërrohet në gol nga Dejvi Bregu.

TRAJNER EDI MARTINI

Është kritikuar për lojën që bën, megjithatë 3 pikët njëras pas tjetrës, duket se po i mbyllin gojën të gjithë kritikëve. Luan në një transfertë delikate si e Korçës duke arritur të marrë një triumf me mjaft vlera. Konfirmon edhe një herë se Teuta është me meritë në krye dhe këtë sezon është kandidatja potenciale për titullin kampion.