Kur luan me përfaqësuesen Shpresa të një vendi, normalisht trajneri që të aktivizon beson se ti mund t’i përkasësh brezit të ardhshëm që veshin fanellën kuqezi të kombëtares së madhe. Të njëjtën gjë normalisht duhet ta besojnë edhe vetë lojtarët, të cilët luftojnë për të bërë hapa para në karrierë e siguruar një vend mes më të mëdhenjve.
Por Andrea Hoxha, portieri titullar i U21 të Shqipërisë në ndeshjet e fundit të kuqezinjve meqë mungonte Selmani, duket se mendon vetë se niveli i tij është shumë larg asaj që mund të pritet nga një portier përfaqësueseje.
Portieri i cili luajti ndaj Turqisë dhe në dy ndeshjet me Uellsin, ka firmosur në kategorinë e pestë gjermane për të vazhduar atje karrierën e tij. Hoxha nënshkroi me FC08 Vilingen duke u bërë portieri më i ri i kësaj skuadre që luan në kampionatet rajonale.
Me siguri diçka e çuditshme për karrierën e një futbollisti i cili pretendon se mund të veshë fanellën e përfaqësueses. Ai më parë kishte luajtur në kategorinë e pestë zvicerane, por u largua një vit drejt Gjermanisë dhe luajti në kategorinë e gjashtë atje. Më pas, Hoxha u kthye përsëri në Zvicër ku luajti me ekipin e të rinjve të Vintertur, ku mori edhe ftesën nga përfaqësuesja Shpresa, nga e cila në vend të hapit para, ka bërë tre hapa mbrapa. /vipsport