Në Shkodër duan të ndryshojnë strategji. Te Vllaznia kanë në plan që të ndërtojnë një skuadër që jo vetëm të pretendojë për titull dhe Kupat e Europës, por të ketë jetëgjatësi në synimet e saj.

Shifrat tregojnë që diçka nuk është bërë si duhet gjatë kësaj kohe dhe sidomos në dy vitet e fundit. Shkodranët kanë qenë si një “ashensor” dhe ulje-ngritjet e vazhdueshme janë dëshmia më e mirë e kësaj që po themi.

Megjithatë, edhe këtë vit misionin sigurisht që do ta kenë të njëjtë, titullin kampion, gjë të cilën e deklaroi edhe vetë presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, pak ditë më parë. Megjithatë, me organikën që kanë deri më tani, janë një hap mbrapa rivalëve.

Kuqeblutë nuk kanë akoma një skuadër të gatshme dhe me përvojë, që mund t’i udhëheqë në vendet e para të kampionatit. Megjithatë, edhe pse vështirësia do të rritet, për shkodranët nuk do të jetë problem, pasi drejtuesit flitet se do të hedhin hapa të zgjuar.

Ata kanë vendosur që të ndryshojnë diçka prej sezonit 2022-2023, teksa do të nisin një projekt disi më ndryshe. Mundësitë janë dhe kushtet poashtu, prandaj pritet vetëm që klubi të vendoset në veprim.

Kujtojmë që, financat nuk kanë qenë kurrë problem dhe aq më tepër infrastruktura dhe organika poashtu. Megjithatë, nën zë thuhet se këtë edicion, buxheti është ulur tek Vllaznia dhe në këtë mënyrë, klubi kuqeblu ka një plan dhe strategji ndryshe për edicionin e ardhshëm.
Maringlen ZHIVANI