Teo Hernandez dhe Milani do të vazhdojnë së bashku deri në vitin 2026. Dje ka ardhur zyrtarizimi i akordit të ri, ndërkohë që i vjetri përfundonte në 2024-ën.

Edhe paga e francezit do të rritet nga 1.5 milionë neto në sezon në 4.5 milionë, të cilave do t’u shtohen bonuset. Titullar i padiskutueshëm, gjemb në këmbë për kundërshtarët e Milanit, një tren me shpejtësi të lartë që shëtit në korsinë e majtë.

Po flasim për Teo Hernandezin. I mbërritur te kuqezinjtë në verën e vitit 2019 si një i ri me perspektiva të mira. Spanjolli tani është një futbollist i njohur, i cili ka fituar vlerësimin dhe respektin e të gjithëve në Serinë A, duke bërë hapa të mëdhenj edhe drejt kombëtares franceze të Didie Deshampit.

Me 17 gola, Teo është ndër mbrojtësit me më shumë gola në historinë e Milanit duke u renditur pas Aldo Malderës (27) dhe Paolo Maldinit (29).

SHIFRAT E TEOS – Që kur veshi fanellën e kuqezinjve, Teo ka arritur maja performance si asnjëherë më parë në karrierën e tij. Duke marrë parasysh të gjitha kompeticionet – nga Seria A në Ligën e Kampioneve, duke kaluar nëpër Kupën e Italisë dhe Ligën e Europës – numri 19 ka luajtur gjithsej 108 ndeshje me fanellën e kuqezinjve.

Në këto 108 ndeshje, Teo shënoi 19 gola dhe dha 21 asiste. Këto janë shifra përrallore e të vështira për t’u përsëritur nga kolegët apo homologët e tij. Kujtojmë se Hernandez është një mbrojtës i majtë dhe jo anësor apo mesfushor sulmues.

E vetmja e metë për të cilën ai duhet të punojë shumë për t’u përmirësuar janë kartonët e marrë. Që kur iu bashkua Milanit, është ndëshkuar me 28 kartonë të verdhë dhe 3 të kuq (njëri prej të cilëve është direkt).

Praktikisht, në 108 ndeshje janë 31 kartonë, një në çdo 3 ndeshje e gjysmë afërsisht. Pak e tepërt. Ky është pa dyshim një aspekt për t’u përmirësuar.