Në pritje të vendimit për pjesëmarrjen në Ligën e Europës, te Milani vijon puna për të përforcuar skuadrën e cila që nga 9 korriku do të nisë punën nën urdhrat e Marko Xhampaolos. Vështirë që organika të jetë e plotësuar për atë ditë, por Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban nuk kanë ndër mend të ndalen, edhe pse gjatë rrugës së tyre duhet të bëjnë llogaritë me ndonjë sanksion të mundshëm nga UEFA.

milan

MESFUSHORËT 

Pas Rade Kruniç, kuqezinjtë po bëhen gati për zyrtarizimin e një tjetër akordi në mesin e fushës, ku nevoja për cilësi dhe numër është e madhe. Dje në “Casa Milan” ka qenë i pranishëm Xhuzepe Rizo. Menaxheri në fjalë, përveç shumë lojtarëve, mbulon edhe interesat e Stefano Sensit. 24-vjeçari do të largohet nga Sasuolo dhe Milani është një ndër destinacionet e mundshme (Interi ka hyrë në garë në orët e fundit).

SENSI

Burime pranë klubit kuqezi bëjnë të ditur se në takimin mes agjentit dhe krerëve të “Djallit” është folur për një akord, i cili parashikon një kontratë pesëvjeçare për Sensin me një rrogë rreth 2-2.5 milionë euro në sezon. Palët kanë diskutuar edhe për ofertën që i duhet dorëzuar Sasuolos. Maldini dhe Boban planifikojnë për të kërkuar një huazim 2-vjeçar me të drejtë blerjeje për 15 milionë euro. Dyshja kuqezi ndihet optimiste edhe për shkak se presidenti i Sasuolos, Xhorxho Skuinci, është një tifoz i madh i Milanit.

VERETU

Fundjava do të hedhë më shumë dritë mbi çështjen, teksa po gjatë atyre ditëve në “Casa Milan” priten lajme edhe nga Fiorentina. Sipas mediave italiane, “Djalli” e ka ngritur në 23 milionë euro ofertën për Zhordan Veretu. Me mesfushorin mungon akordi, por jo më larg se një javë më parë, menaxheri i tij pranonte pëlqimin e francezit për një transferim në ekipin që sezonin e ardhshëm do të stërvitet nga Marko Xhampaolo.

ÇËSHTJE KROATE

Andrej Kramariç është një tjetër profil për të cilin drejtuesit e Milanit, veçanërisht Boban, janë tejet të interesuar. Mediat gjermane flasin për një akord verbal mes kuqezinjve dhe menaxherit të lojtarit, pavarësisht se ky i fundit vijon të theksojë se ndihet mirë te Hofenhaimi.

SJLSS

Pikërisht klubi i Bundesligës përbën thelbin e problemit pasi për ta lënë të lirë 29-vjeçarin, kërkon të arkëtojë të paktën 35 milionë euro, një shifër shumë larg mundësive të Milanit në këto momente. Vendimtar në këtë çështje mund të rezultojë Zvonimir Boban, i cili thuhet se ka kontakte të drejtpërdrejta me Kramariçin.

I aftë t’i mbulojë të gjitha pozicionet e vijës së parë, kroati do të ishte një alternativë më shumë për Xhampaolon në vitin e tij të parë në stolin e Milanit, ku misioni kryesor do të jete renditja mes katër të parave në kampionat.