Skënder Gega do të jetë trajneri i ri i Skënderbeut. Klubi korçar ka njoftuar vetëm pak orë pasi lajmëroi ndërprejen e bashkëpunimit me Migen Memellit se do të jetë trajneri tropojan ai i cili do të marrë drejtimin e ekipit bardhekuq.

“Presidenti Ardjan Takaj ka arritur marrëveshjen e bashkëpunimit me trajnerin e mirënjohur Skënder Gega, i cili të vendoset menjëherë në shërbim të ekipit dhe prej të enjtes pas prezantimit me ekipin do të nisë përgatitjet për takimin e radhës ndaj Laçit në transfertë”, thuhet në njoftimin e Skënderbeut.

Gjatë karrierës së tij, Gega ka arritur që të fitojë titullin kampion me Partizanin në sezonin 2018-2019, ndërsa së fundmi ka drejtuar ekipin e Kukësit në vitin 2020. Misioni i tropojanit do të jetë për të siguruar mbijetesën.

Edhe pse nuk do të ketë një mision aspak i lehtë, duke marrë në konsideratë faktin se korçarët ndodhen aktualisht në vendin e fundit në Abissnet Superiore në kuotën e 17 pikëve, gjashtë pikë larg zonës së shpëtimit, teksa sfida e radhës për ta është ajo në transfertë ndaj Laçit.