Opinion nga RAMADAN BIGZA

Në fakt a e ka kush të drejtën për ta fituar atë? Me ato çfarë kemi parë e po shikojme në futbollin tonë, unë them jo. Ai që është nepërkëmbur më shumë se gjithçka nga futbollistët, drejtuesit e tyre, institucionet e futbollit etj, është pikërisht dinjiteti.
Po e nis me Vllazninë, klubin më të vjetër.

Çfarë u ka mbetë futbollistëve të sotëm nga ajo krenari shkodrane e trashëguar brez pas brezi?.Vllaznia mundet lehtësisht tashmë nga një Laç, diskreditohet nga një Kukës etj, etj. Si shumëherë këta vitet e fundit klubi i njohur lëkundet mes rënies një kategori më poshtë dhe mbijetesës. Në kësi rastesh nuk mund të flasësh për dinjitet. Vite më parë më kujtohet se kam pas bërë një intervistë me një nga futbollistët më energjikë shkodranë ndër vite, Preng Gjeloshin. Mbaj mend se më pat thënë: “ Humbëm një ndeshje jashtë Shkodrës dhe na vinte turp të kalonim përmes qytetit. Kemi hyrë në Shkodër nga pjesa tjetër e qytetit dhe u jemi fsheh gjithë javën tifozëve tanë…”Kjo është ndjenjë përgjegjësie, ky është dinjiteti i njerëzve të ndershëm, që i janë përkushtuar futbollit me mish e me shpirt. Ndërsa sot po tia tregosh keto ndonjë futbollisti apo drejtuesi çuditet. Çuditet sepse futbolli nuk është më shpirt, nuk është më zemër, nuk është sakrificë.Futbolli sot është qejf është fitim, është interes. Kësisoj adresa e dinjitetit e ka humnbur adresen e vet.
Më shumë se kurrë Vllznisë i duhet kujtuar vargu i Pashko Vasës. “Po sot Vllazni, më thuaj si je, dikur ke kene një zonjë e randë…”
U ndala tek Vllaznia për të vazhduar me të tjerët. A është Tirana e sotme, Tirana e viteve të shkuara ku për fanelën luftohej deri në sekondën e fundit për të merituar fitoren. Jo nuk është. Tirana nuk është as hija e asaj Tirane, që ne kemi njohur ndër vite. Po Flamurtari?.Flamurtari i sotshëm nuk është kurrsesi si Flamurtari i Mexhid Haxhiut, Sokol Kushtës, Kreshnik Çipit, Petro e Vasil Rucit etj. Flamurtarit nuk i ze besë nëse luan fjala vjen me Novoselen e jo më me ekipe të tillë si Barcelona, Partizan i Beogradit apo ndonjë ekip tjetër, që vlonjatët i kanë mposhtur pikërisht falë dinjitetit të tyre.
Menjëherë pas ndeshjes Partizani – Flamurtari ( 2-1), drejtuesi i Flamurtarit Sinan Idrizi i indinjuar nga humbja shkruajti në një nga rrjetet sociale:”
Tifoze dhe sportdashes! Une dhe ju nga televizori pame turpin e rradhes ne futbollin shqiptare.Sot turpin e ka bere Flamurtari dhe lojtaret e tij.Sot fanella e Flamurtarit eshte shitur ( emrat do ti mesoni shume shpejt) dhe mbi te gjitha ja dolen te na marin trofeun qe me aq mund e fituam,trofeun e dinjitetit.
Nga sot mardhenia jone si drejtues ndaj cdo indidivdi ne klubin Flamurtari do te rishokohet dhe nga sot te gjithe lojtaret e klubit do te sanksionohen.
Kjo eshte masa administrative nderkohe qe masat do te jene edhe ligjore.
Si president i kerkoj bordit mbledhje urgjente diten e neserme.
Prisni dhe do shihni…”
Më duket një deklaratë e përgjegjshme e një drejtuesi, e një qytetari, e një tifozi të skuadrës së tij të zemrës, që i dhimbset fort Flamurtari, Flamurtari i vlerave të mëdha, Flamurtari i dinjitetit të madh. Por është interesant fakti se edhe pse janë pjesë tarë të një ekipi, trajneri italian i Flamurtarit ka një mendim tjetër.Për të mos zhënë se trajneri nuk ka mendim fare, po them se mendimi i tij nuk është siç thotë populli, as mish e as peshk. Ja çfarë tha Erestino Ramela pas ndeshjes:”“U shfaq një skuadër tjetër pas pjesës së parë dhe në fushë dukej sikur kishin zbritur vëllezërit binjakë të atyre që ishin në pjesën e parë, vetëm se në jetën e tyre nuk kishin prekur kurrë top me këmbë. Duhet ta vlerësojmë atë që ndodhi në pjesën e dytë, i lejuam shumë raste Partizanit, aq shumë raste sa që kur kam ardhur unë nuk i kemi lejuar në të gjitha ndeshjet bashkë. Unë i kam parë disa herë në Shqipëri këto raste të cuditshme për mënyrën se si humben ndeshjet dhe duket sikur ne jemi objekt i këtyre konstestimeve sikur e lejuam të fitojë Partizanin, por nuk është kështu. Për fat të keq në futboll kur rezultati nuk është ai i pritshëm tifozët mendojnë se ka dicka tjetër pas humbjes, por nuk është kështu”-tha tekniku i vlonjatëve…”.
Për mua, të huajt mbeten të huaj edhe pse jo radhë ata thonë se janë më vendas se vendasit. Po të ishte vlonjat, italiani nuk do të kishte folur kështu. Por ai nuk e njeh mesaduket historinë e Flamurtarit, nuk i njeh vlonjatët, krenarinë e tyre, dinjitetin e fituar ndër vite.
Trofeu i dinjitetit?! A e ka kush të drejtën për ta pronësuar një trofe të tillë?. Mendoj se jo. Deri tani, them deri tani , për ta fituar atë po lufton vetëm ekipi ynë kombëtar. Fitorja në Portugali, ndeshjet e shkëlqyera të zhvilluara ndaj Danimarkës, Franës, Italisë apo edhe në ndeshjen ndaj Serbisë u pa qartë dëshira e madhe për të luftuar për ngjyrat e kombëtares, dinjitetin e saj. Klubet tona janë shumë larg kësaj performance.
Trofeu i dinjitetit, që unë e vura si titull të këtij shkrimi duhet të shërbejë edhe si jë stimul moral, që Federata jonë e futbollit fare mirë mund ta vejë në shërbim të cilësisë sportive, luftës së ndershme, krenarisë qytetare etj. Por duhet ta pranojmë se në mjedisin tonë futbolldashës, ky trofe tejet i rëndësishëm mungon.