Kupa FA që zhvillohet në Angli, jo vetëm është turneu futbollistik më i vjetër në botë, por është edhe unik në mënyrën se si zhvillohet. Eliminimi me ndeshje teke, përsëritje në fushën kundërshtare në rast barazimi e sidomos short i hapur që në sfidat e para për t’u dhënë të gjithëve shansin që të ecin përpara.

Një turne i cili duket se është ndërtuar për skuadrat e vogla e nuk është rastësi që shpesh ekipe të futbollit amator shkojnë në raundin e tretë apo të katërt të këtij aktiviteti, duke luajtur përballë gjigandëve të Premier Ligës. Por në mënyrë të njëjtë, nuk janë të pakta rastet kur që në raundet e para ka përplasje mes skuadrave të mëdha.

Kështu ka ndodhur edhe në këtë edicion, ku në raundin e katërt të turneut, shorti ka vënë përballë dy rivalë historikë, pretendentë për të fituar turneun, Mançester Junajtid dhe Liverpulin. Të dy skuadrat do të luajnë mes tyre në fund të janarit dhe njëra do t’i japë lamtumirën mundësisë për të triumfuar në këtë aktivitet prestigjioz.

Një format që dhuron spektakël por edhe shanse të barabarta për të gjithë dhe jo një skemë e paracaktuar si në vende të tjera ku favorizohen gjithmonë ekipet e mëdha dhe bëhet thuajse e pamundur që skuadrat e vogla të dhurojnë surpriza.

TURI I KATËRT

Çeltenhem – Mançester Siti
Bornmuth-Krouli
Suonsi-Notingem Forest
Mançester Junajtid-Liverpul
Sauthempton/Shrusbëri-Arsenal
Barnsli-Noruiç
Çorli-Ullvërhempton
Milluoll-Bristol Siti
Brajton-Blekpull
Uajkomb-Totenhem
Fullhem-Bërnli
Shefilld Junajtid-Plajmuth
Çesli-Luton
Stokport/Uest Hem-Donkaster
Brentford-Leister
Everton-Shefielld Uensdei