Skuadra koplikase duket se po ndërtohet në mënyrën e duhur për kampionatin e ri. Siç dihet, ajo sivjet ka fituar të drejtën për të qenë pjesë e kategorisë së parë dhe kuptohet që gara ka për të qenë shumë më e fortë.

Trajneri Duli e di këtë gjë dhe për këtë arsye, ka kërkuar lojtarë cilësorë. Deri më tani gjërat i kanë shkuar mirë. Kanë marrë tre lojtarë nga Vllaznia, pikërisht portierin Zamir Vjerdha dhe mesfushorët Suad Bega e Paulo Markolaj.

Por nga dita e sotme në stërvitje me ekipin janë bashkuar edhe tre futbollistë të tjerë. Dy prej tyre vijnë po ashtu nga Vllaznia, pikërisht mbrojtësi i djathtë Mario Kola dhe mbrojtësi i qendrës Armenis Kukaj.

Por përveç tyre, në stërvitje ka dalë edhe Izmir Balaj, një tjetër mbrojtës që sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Tërbunit.

Në këtë mënyrë, me ardhjen edhe të këtyre lojtarëve, skuadra është forcuar shumë. Porta, mbrojtja dhe mesfusha duken të blinduara dhe duket se ka mbetur për të rregulluar edhe diçka në sulm.

Nëse vjen edhe një lojtar cilësor për këtë repart, Veleçiku me plot gojën mund të themi se do të ketë një skuadër dinjitoze për t’u përfaqësuar sa më mirë në kampionat.
© shkodrasport.com