Vllaznia e futbollit të femrave u paraqit këtë verë në ndeshjet e Kupave të Europës me jo pak ndryshime në përbërjen e saj. Disa prej lojtareve që kishin mbajtur peshën e skuadrës për vite me rradhë, u larguan për në destinacione të tjera. E para që u largua në përfundim të kontratës ishte mbrojtësja e majtë Arbenita Curraj e cila tashmë është pjesë e Genoa në Seria A në Itali.
Por ndërkohë për disa lojtare të tjera të Vllaznisë, por edhe të ekipeve të tjera shqiptare e kosovare, është Turqia që është bërë “toka e premtuar”. Kjo sepse janë disa lojtare të cilat kanë kaluar në këtë kampionat dhe janë bërë pjesë e skuadrave të ndryshme të tij.
Interesant është fakti se skuadra e Superligës së Turqisë Unye Kadir Spor ka bërë pjesë të saj këtë sezon disa futbolliste shqiptare dhe ndër to janë edhe tre futbolliste që kanë qenë pjesë e Vllaznisë për vite me rradhë. Bëhet fjalë për Esmeralda Franjen, Sara Maliqin dhe Rrezona Ramadanin.
Kontratat e tyre me Vllazninë kishin përfunduar dhe ato zgjodhën Turqinë për të vazhduar karrierën e tyre. Bashkë me ta pjesë e kësaj skuadre janë bërë edhe dy futbolliste të tjera të kampionatit shqiptar si Mesuara Begallo dhe Ilarja Zarka. Po ashtu edhe disa lojtare nga kampionati kosovar si Agnesa Gashi, Shkurte Maliqi e Marigone Tahiri.
Prezantimi i të gjitha këtyre lojtareve është bërë ditën e djeshme nga klubi turk, ndonëse kampionati ka disa javë që ka filluar. Madje, tre ish- lojtaret e Vllaznisë jo vetëm që po luajnë rregullisht si titullare, por po shfaqen edhe si golashënuese. Franja ka shënuar në ndeshjen ndaj Antalyaspor ndërsa Rrezona Ramadani ka shënuar dy gola në ndeshjen e javës së kaluar ndaj ekipit Çekmekoy.
Unye Kadir Spor me të cilën luajnë futbollistet shqiptare aktualisht pas 5 ndeshjesh të luajtura, ka 3 fitore dhe 2 humbje. Me 9 pikë të grumbulluara ajo ndodhet në vendin e 8-të të renditjes, në një kampionat ku marrin pjesë plot 16 skuadra.(www.shkodrasport.com)









