Eros Grezda e nisi titullar dje ndaj Astanës, por rezistoi vetëm 23 minuta, pasi kërkoi zëvendësim për shkak të një dëmtimi. Bëhet fjalë për një problem muskulor prej sforcimit të lojtarit gjakovar, i cili ende nuk kishte kapur gjendjen më të mirë fizike. Gjithsesi, shkalla e dëmtimit do të konfirmohet në orët në vijim pas rikthimit të skuadrës në Tiranë.

28-vjeçari kërkon tashmë kohë për riaftësimin, teksa dyshimet e para janë për një dëmtim në muskulin e shpejtësisë. Kjo e vendos në rrezik praninë e tij në ndeshjen e kthimit ndaj Astanës, që do të luhet të enjten e 31 gushtit në stadiumin “Elbasan Arena”.

Trajneri Zoran Zekiç deklaroi dje pas ndeshjes në Kazakistan se shpreson që me lojtarët e rikthyer nga dëmtimet dhe pezullimet, të kërkojnë përmbysjen ndaj Astanës në Elbasan. Kroati u referohej pikërisht dy titullarëve, sulmuesit Kristian Mba dhe mbrojtësit të majtë, David Atanaskoski. I pari ka dy ndeshje që mungon për shkak të dëmtimit në muskujt e barkut në sfidën e luajtur në Letoni ndaj Valmierës. Mirëpo, lajm i mirë është se nigeriani ka disa ditë që ka nisur stërvitjen individuale dhe gjasat janë të mëdha që t’i bashkohet grupit të hënën.

Mba është në luftë me kohën për të kapur atë që mund të cilësohet si ndeshja e jetës për klubin e kuq dhe natyrshëm, përveçse duhet një sforco nga të gjithë, kërkohet edhe sakrificë nga Mba. Stafi mjekësor pritet të bëjë gjithçka në mënyrë që të enjten sulmuesi të jetë 100% në dispozicion të Zekiçit.

Nga ana tjetër, ka shlyer pezullimin për kartonë maqedonasi Atanaskoski, i cili mungoi dje në Kazakistan, ndërsa do të jetë në fushë në takimin e kthimit, duke qetësuar jo pak trajnerin për krahun e majtë, ku këtë herë luajti Hadroji. Duke përjashtuar këtu fantazistin Viktor da Silva, që nuk është federuar për raundin “play off” pas përplasjeve me trajnerin, si dhe sulmuesin Alfred Mensah dhe mbrojtësin Saliu Sembene, të cilët mungojnë prej kohësh për shkak të problemeve fizike, Zekiç shkon në ndeshjen më të rëndësishme me një grup më të plotë.