Boca Juniors u bë skuadra e fundit që kualifikohet për në gjysmëfinalet e Kupës Libertadores, pasi eliminoi mbrëmjen e së enjtes Cruzeiro-n, duke barazuar 1-1 në ndeshjen e kthimit në Brazil.

Në vajtje kishte përfunduar 2-0 për Boca-n, që në këtë mënyrë kualifikohet dhe shpreson të fitojë Libertadores për herë të katërt, pas triumfit të fundit në vitin 2015.

Pas kartonit të kuq në ndeshjen e vajtjes, ku dëmtoi pa dashje portierin Andrada, mbrojtësi Dedé ishte sërish në fushë, pasi me provë televizive iu anulua pezullimi, por edhe në Brazil doli me karton të kuq, në një fund takimi plot tension.

Boca pretendoi për një penallti në pjesën e parë, ndërsa Cruzeiro-s iu anulua një gol në fillim të pjesës së dytë, pasi arbitri gjykoi se këmba e ngritur nga Dedé ishte shumë pranë fytyrës së portierit Rossi, ndërsa Hernán Barcos gjente golin që më pas u anulua.

Dedé ishte një rrezik konstant në zonën e Boca-s, më shumë për faktin se po rrezikonte sërish portierin për ta dëmtuar, ndaj arbitri fillimisht e ndëshkoi me karton të verdhë dhe më pas në minutën e 81-të erdhi kartoni i kuq.

Më parë, në minutën e 58-të Cruzeiro kishte gjetur golin e shpresës me Sassa dhe krijoi disa shanse për gol në fundin e takimit, por në shtesë Pavón shënoi golin që i dha barazimin dhe kualifikimin Boca-s.

Në gjysmëfinale do të kemi dy sfida të jashtëzakonshme, sepse ekipet më të mira të Brazilit do të ndeshen me ekipet më të mira të Brazilit.

Boca e Palmeiras do të ndeshet më 23 tetor në La Bombonera dhe një javë më vonë në Sao Paulo.

River Plate do të përballet me Gremio-n në gjysmëfinalen tjetër, çka do të thotë se ekizstojnë shanset që për herë të parë në histori të kemi një Superclasico argjentinas në finale./telesport/