Vllaznia luajti dje ndeshjen e rradhës miqësore në kuadër të përgatitjeve verore. Shkodranët që ndodhen në Pogradec po i japin dorën e fundit stërvitjeve para fillimit të kampionatit. Kjo edhe me ndeshje që mbajnë në tonus futbollistët dhe dje ishin përballë Dinamos. Ndeshja kundër bluve u mbyll në shifrat 1-1.

Ku goli të Hoxhajt iu përgjigj Deninson për kryeqytetasit. Por ajo që ra në sy në këtë miqësore ishte aktivizimi si titullar i Flori Spahijas. Djaloshi 19-vjeçar që luan si mbrojtës ishte i vetmi nga të rinjtë që gjeti vend si titullar në takimin kundër Dinamos. Ai u rreshtua në repartin e prapavijës me emra me eksperiencë si: Hakaj, Gurishta dhe Shehi.

Duket se besimi tek djaloshi i ri po vjen në rritje dhe duke parë që edhe Vllaznia nuk po lëviz për një mbrojtës në merkato, ai shihet si një alternativë gjatë sezonit. Kjo për të kompletuar edhe 4 qendërmbrojtësit që pritet të jenë pjesë e kuqebluve këtë edicion. Ku përveç Shehit e Spahijes që luajtën dje titullar, në këto pozicione aktivizohen edhe Bulatoviç dhe Juriç.

Spahija është një nga ata futbollistë të afruar rrishtazi tek ekipi i parë nga 19-vjeçarët në këtë fillim sezoni. Tek shkodranët duket se politika në drejtim të të rinjve po ndryshon dhe çdo kush që do jetë pjesë e skuadrës do ketë mundësi të tregojë vlerat e tyre në sezonin që do fillojë në datën 20 gusht.
Endri ÇINARI