Në ndeshjen mes Brazilit dhe Zvicrës të mbyllur në barazim 1-1, u regjistruan disa momente të dyshimta për të cilat u duk sikur sistemi VAR nuk ndërhyri siç edhe e parashikon rregullorja, duke përfshirë këtu edhe golin e barazimit të kombëtares “helvetike”.
Kjo detyroi federatën braziliane që t’i niste një ankesë zyrtare FIFA-s në lidhje me këtë dhe madje t’i kërkonte edhe një kopje të korrespodencës mes arbitrave të VAR-it dhe kryesorit të ndeshjes.
Sot organizmi botëror i futbollit i ka kthyer një përgjigje zyrtare kombëtares “seleçao” duke theksuar se sistemi VAR është aktivizuar sipas rregullores në çdo moment të dyshimtë,
por për këtë nuk është e domosdoshme të ndërpritet ndeshja pasi kjo ndodh vetëm në momente kur marja e një vendimi kërkon më shumë kohë.
Ndërkohë në lidhje me kërkesën e asaj çfarë kanë biseduar arbitrat me njëri tjetrin, FIFA u përgjigj se diçka e tillë përbën shkelje të privatësisë së “bilbilave” e për pasojë nuk mund të pranohet.