Situata e paprecedentë e ditëve të fundit në klubin e Ilirisë së Fushë Krujës ka bërë që të largohet edhe trajneri Bledar Devolli. Mësohet se ky i fundit ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës pas ngjarjeve që kulmuan me arrestimin e presidentit Nazmi Selmani.
Gjykata e Durrësit ka marrë të mërkurën edhe vendimin në lidhje me masën e sigurisë së personave të përfshirë në kërcënimin e presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
U vendos masa “Arrest me burg për presidentin e klubit, Nazmi Selmani dhe të afërmin e tij, Petrit Selmani. Ndërsa për futbollistët Brajan Selmani dhe Santiago Selmani, u caktua masa “detyrim paraqitje”.
Tashmë ekipi fushëkrujas është në kërkim të një trajneri, ndërsa vijon stërvitjen në stadiumin “Redi Maloku”. Ndërkohë, dje ka qarkulluar emri i trajnerit Alfred Allamani si zëvendësues i Devolli, por zyrtarisht nuk ka ende një konfirmim.