Me një vendim të Gjykatës së Lezhës, presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, është dënuar ditën e enjte me 4 vjet burg. Dhe një skuadër futbolli normalisht shqetësohet kur i dënohet presidenti, por Nokës nuk i bën aspak përshtypje ajo që ka ndodhur.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thekson se nuk trembet nga mushkonjat dhe thotë gjithashtu se Besëlidhja po pret të marrë vendin e Skënderbeut në Superiore.

“Besëlidhja nuk tronditet dhe Gjok Noka nuk trembet prej mushkonjave. Besëlidhja vijon stërvitjen e qetë dhe e sigurt, me punën e stafit dhe lojtarëve jam mjaft i kënaqur.

Ne po presim me padurim të zëmë vendin e Skënderbeut, pasi kjo është e qartë në rregullore. Jemi të çuditur pse po vonohet kaq shumë zbardhja e vendimit. Besëlidhja po stërvitet për nivelin superior, ndaj jemi mjaft të qetë.

Më shqetëson vetëm vonesa e ekzekutimit të vendimit për Skënderbeun, jo mushkonjat, siç e theksova më lart. Gjithçka vazhdon normalisht ne klub”. Ky ishte reagimi i presidentit Noka pas dënimit të tij.