Klubi i Napolit nuk e ka përjetuar edhe aq mirë lajmin se ylli i kësaj skuadre i afruar me shumë bujë gjatë verës, Viktor Osmihen, është kthyer nga pushimet i infektuar me COVID-19. Pritej që sulmuesi të kthehej i riaftësuar nga dëmtimi që e kishte mbajtur larg fushave të lojës prej më shumë se një muaji, por tashmë atij i është shtuar një telash tjetër.

Një situatë që është komplikuar edhe nga fakti se infektimi i tij mendohet se ka ardhur në një festë në vendlindjen e tij në Nigeri, me pamjet që janë publikuar në mediat e ndryshme që tregonin se ai ishte mes miqsh e askush nuk mbante maskë, ndaj në kthimin në Itali, përveç karantinës, atë e ka pritur një gjobë rekord nga klubi.

Mediat nigeriane kanë mësuar se presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, i ka bërë të qartë futbollistit se kjo sjellje ishte e patolerueshme dhe nëpërmjet klubit i ka vendosur një gjobë prej 250 mijë eurosh pasi ka rrezikuar jetën e tij dhe të shokëve të skuadrës.

Një sinjal i qartë edhe për pjesën tjetër të skuadrës që të mos përsëriteshin më gjëra të tilla që do të rrezikonin objektivat e këtij seozni. /vipsport/