Mbrojtësi i Atletico Madrid, Lucas Hernandez, rrezikon deri në një vit burg për shkak se është martuar në Las Vegas, ndërkohë që ishte urdhëruar që të mos dilte jashtë shtetit. Shkurtin e vitit të kaluar, Hernandez dhe gruaja e tij, Amelia Ossa Llorente, janë urdhëruar që të bënin 31 ditë shërbim social dhe që të mos dilnin jashtë shtetit për gjashtë muaj. Një vendim ky që është marrë pasi lojtari është shpallur fajtor për dhunë në familje.
Pavarësisht këtij urdhri, ku thuhej edhe se të dy duhet të qëndronin 500 metra larg njëri-tjetrit, çifti ka vendosur të injorojë vendimin dhe të martohet në Las Vegas katër muaj më vonë. Pas martesës, sipas shtypit spanjoll, ata kanë shkuar në Bahamas për muajin e mjaltit. Por në momentin e kthimit, mbrojtësi i Atletico Madrid dhe gruaja e tij, janë ndalur në aeroportin “Adolfo Suarez-Barajas” të Madridit. Madje, Hernandez ka kaluar natën në burg.
Tani, prokuroria ka kërkuar një vit burg për lojtarin, ndërsa bashkëshortja e tij është lënë e lirë pasi është zbuluar se ajo nuk ishte informuar zyrtarisht në lidhje me vendimin e gjykatës për të mos u larguar nga vendi. Duket si një film, por Hernandez rrezikon seriozisht të përfundojë në burg./telesport/