Presidenti i Barce lonës, Joan Laporta, i është kthyer edhe një herë tjetër realitetit në klubin katalanas gjatë një intervistë të dhënë për “Cadena SER”. Ngado të rrotullohet, një nga pikat që e gërvisht më shumë numrin një të klubit të Barcelonës është Lionel Mesi, largimi i tij në verën e vitit 2021, por dhe mundësia e një rikthimi që po shuhet dita-ditës. Laporta ka folur edhe për merkaton e Barcelonës, duke përjashtuar mundësinë e shpenzimeve të mëdha, siç është rasti i Bernardo Silvës, për të cilën mendohet se klubi spanjoll është gati të paguajë deri në 80 milionë euro.

MESI – “M’u desh të vendosja Barcelonën përpara lojtarit më të mirë në historinë e futbollit. Në ato momente klubi ishte një katastrofë ekonomike, e kishim të pamundur që ta mbanim. Unë mendoj se në ato momente bëra zgjedhjen më të mirë për klubin. Tani ai është një lojtar i Paris SG-së dhe nuk është mirë të diskutojmë shpesh për të. Ne jemi të fokusuar te Barcelona. Leo do të jetë gjithnjë pjesë e historisë së këtij klubi, gjithnjë pjesë e stemës sonë. Dhe të gjithë do të dëshironim një fund tjetër nga ai që pati”.

MARRËDHËNIET ME LEON – “Ka persona nga rrethi i tij që flasin se marrëdhëniet mes meje dhe Leos janë të ngrira. Por e vërteta është ndryshe. Ne komunikojmë bashkë. Borxhet? Nuk i kemi asnjë borxh Mesit. Kemi rënë dakord me të dhe do të respektojmë marrëveshjet e lidhura mes nesh”. BERNARDO SILVA – “Të jeni të sigurt, nuk kemi ndër mend të paguajmë 80 milionë euro për Bernardo Silvën. Ua garantoj këtë. Haland? Po shohim se çfarë po bën te Mançester Siti, po luan shkëlqyer. Por ne kemi Levandovskin dhe jemi të lumtur me të”.

BOTËRORI – “Kur pashë se në finale ishin Franca dhe Argjentina u qetësova në një farë mënyre. Nëse do të fitonte Argjentina do të isha i lumtur për Mesin. Nëse do të fitonte Franca do të isha i lumtur për Dembelenë, Kundenë. Në fund mendoj se Leo e meritoi titullin me Argjentinën”.

PIKE – “Nëse dëshiron vërtet, një ditë mund të bëhet president i Barcelonës. Kam marrëdhënie të shkëlqyera me të. Balde? Edhe me të e përfaqësuesin e tij ligjor kam marrëdhënie mjaft të ngushta. Ai dëshiron që të vijojë karrierën te Barcelona dhe të gjithë ne jemi të kënaqur me vendimin që ka marrë, me zgjedhjen që ka bërë”.

PASUESI I BUSKETS – “Të gjithë e dimë se kush është Serxhio Buskets. Sikurse e dimë të gjithë se ai nuk do të luajë pambarimisht. Di të them se brenda klubit ka diskutime për të gjetur pasuesin e tij. Gjithsesi, zgjedhjet në radhë të parë do të duhet t’i kërkojmë në skuadër. Mendoj se Frenki de Jong mund të luajë fare mirë në pozicionin e Busit. Gjithsesi mund të vijë dhe ndonjë lojtar tjetër. Këtë e di më mirë Ksavi, ai do ta vendosë”.

SUPER LIGA – “Unë nuk do të isha përfshirë në këtë projekt nëse gara nuk do të kishte qenë e hapur. Ne duam që qeveria e futbollit t’i përkasë klubeve. Shpresoj që UEFA të zërë një karrige më shumë në tryezën e qeverisjes. Nëse zgjidhja është e favorshme, mendoj se Super Liga do të jetë realitet në vitin 2025″.

KUNDËR PREMIER LIGËS – “Ne do të krijojmë një kompeticion europian që do të konkurrojë me Premier Ligën. Unë mendoj se skuadrat angleze nuk do të pranojmë t’i bashkohen Super Ligës që në fillim. Do të donim që ata të hynin, por mendimi im është që fillimisht nuk do të jenë pjesë. Por, gjithçka do të përfundojë me një bashkim më vonë”.

TEBAS, LA LIGA – “Marrëdhënia jonë personale nuk ka qenë kurrë e keqe, por ka qenë e tensionuar. Tebas është një person i ndërlikuar. Ai duhet të shqetësohet më shumë për rikuperimin e abonentëve të futbollit në televizion, me rritjen e të ardhurave të futbollit spanjoll”.

DEMBELE DHE PSG-JA – “Kush tha se Dembele është në shitje? E dimë se kontrata e tij zgjat deri në vitin 2024, por nuk e shesim as për 70, as për 80 milionë euro. Tani po mendojmë që së shpejti të ulemi në bisedime për të parë mundësinë e rinovimit me të. Ai është një lojtar i shkëlqyer, i aftë të bëjë diferencën. I njëjti diskutim vlen dhe për Frenki de Jong. Ka një vendim të klubit për të dhe ai është i qartë: De Jong nuk është në shitje”.

RINOVIMI I GAVIT – “Shpresonim ta mbyllnim sa më shpejt me të, por janari nuk më duket një afat i arritshëm. Do të presim qershorin për të sqaruar pozicionin e tij. Gjithsesi nuk ka pse të shqetësohemi, gjithçka është nën kontroll”.

PROJEKTI I STADIUMIT – “Është një projekt ambicioz. Na duhet rinovimi i stadiumit. Investimet e mëdha që do të bëhen në këtë projekt nuk do të ndikojnë në buxhetin e parashikuar për skuadrën. Barcelona do të vijojë të jetë kompetitive”, tha Laporta në intervistën e tij.