Nga Endri ÇINARI

Mendohej se mund të ishte një opsion për merkaton e Vllaznisë, por tashmë gjithçka ështe e konfirmuar. Victor Da Silva, nuk do jetë me pjesë e futbollit shqiptar.

Fantazisti brazilian ka ndarë rrugët me Superioren pas 3 vitesh e gjysmë. Ku për dy sezone u aktivizua tek Vllaznia dhe 1.5 vite tek Partizani.

Tashmë Da Silva do luajë në Uzbekistan, ku së fundmi i është bashkuar kampionëve të sapo shpallur të Nasaf. Një lajm të tillë e ka zyrtarizuar në rrjetet edhe menaxheri i lojtarit, Arbi Laçi. Da Silva ka nënshkruar një kontratë për vitin 2024 me kampionët uzbek, ku mendohet të ketë edhe një kontratë të majme.

Da Silva ka lënë gjurmë gjatë aktivizimit të tij në vendin tonë, ku në dy sezone fitoi 2 kupa të vendit me Vllazninë. E ndërsa me fanellën e Partizanit ai ka fituar kampionatin sezonin e shkuar, ku ishte ndër protagonistët e titullit për të kuqtë.