Ndriçim Shtubina nuk e përtypi zëvendësimin në minutën e 60- të, madje dukshëm i shfaqi mërzitjen edhe trajnerit në dalje. E megjithatë, pas ndeshjes u shfaq më i qetë. Ai pranoi se gaboi, duke i dhënë të drejtë edhe Mirsad Jonuz. Për “Panorama Sport” ai komentoi edhe historinë e rrogave:

“Kemi marrë një zgjidhje për çështjen e pagave. Kjo i jep më shumë qetësi për vazhdimësinë edhe ekipit. Ndërhyrja e kryebashkiakes ishte vendimtare.

Besoj se rrogat do të kalojnë së shpejti. Janë disa procedura të vogla që duhet të bëhen. Përderisa kemi pritur deri tani, do të presim edhe pak ditë.

Është shumë e vështirë për të folur për përgjegjësinë, pasi situatat janë të lidhura njëra me tjetrën. Nervat pas ndërrimit? Janë gjëra që ndodhin. Natyrisht që u mërzita, pasi askujt s’i pëlqen të zëvendësohet.

Por reagimi im nuk ishte i duhuri, trajneri ka të drejtë të zëvendësojë këdo. Tani të mendojmë për Laçin. Është një takim i vështirë, por të paktën jemi mirë fizikisht e psikologjikisht”.