Taulant Seferi ishte një nga lojtarët kyç në formacionin e Tiranës gjatë këtij sezoni, me sulmuesin që arriti të ndihmonte bardheblutë me gola (19), duke bërë paraqitje që ranë më pas edhe në syrin e trajnerit të kombëtares shqiptare Edy Reja, me këtë të fundit që e grumbulloi për ndeshjet e Nations League në muajin qershor.

Kampionët fërkojnë duar, pasi paraqitjet e mira të sulmuesit me bardheblutë kanë marrë vëmendjen edhe të klubeve të huaja, të cilat tashmë kanë filluar punë për të grumbulluar informacion për lojtarin.

Kërkesat për Seferin janë të shumta, me bardheblutë që po shqyrtojnë mundësinë më të mirë për të përfituar nga shitja e një nga yjeve të ekipit, me drejtuesit që e kanë të qartë se sulmuesi do të jetë pjesë e kryeqytetasve për ndeshjet në Europë, pasi një tjetër paraqitje e mirë e tij do të thoshte më shumë të ardhura në arkat e Tiranës.

Sipas “Panorama Sport” presidenti Refik Halili është shprehur se Seferin nuk e lë, nëse skuadra që kërkon shërbimet e tij nuk paguan të paktën 1 milion euro. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë në javët në vazhdim.

Mësohet se ofertat e para janë diku te 500 mijë euro. Gjithsesi, një gjë është e qartë, me këtë pozicion të Seferit, kalimi i tij në një skuadër tjetër është pothuajse i garantuar, ndërsa ofertat mund të jenë edhe më të larta pas Europës.