UEFA vazhdon të insistojë që kampionatet në Europë të mbyllen rregullisht në fushën e lojës, por me sa duket nuk është më 100% e bindur se do ta arrijë një gjë të tillë.

Duke parë situatën që është krijuar në kontinent me shumë vende që nuk kanë mundësinë të zhvillojnë aktivitete sportive as gjatë verës, ajo po fillon të kuptojë se shumë kampionate do të vendosen në tavolinë, siç janë për momentin Belgjika e me shumë mundësi Holanda.

Për këtë arsye, organizata ndërkombëtare po mendon që të ndërtojë një udhëzues për të gjithë ata Federata të cilat nuk mbyllin dot aktivitetet, në mënyrë që këta të mund të kenë përfaqësues në Kupat e Europës në bazë të disa kritereve. Këtë e sqaroi vetë në komunikatën e sotme UEFA, pas takimit me përfaqësuesit e 55 federatave.

“U dha një rekomandim i fortë për të mbyllur kampionatet e elitës dhe turnetë e Kupave, edhe pse kuptuam se mund të ketë disa raste special. Duke pasur këtë parasysh, UEFA aktualisht por zhvillon disa udhëzues sa i përket pjesëmarrjes në kompeticionet e saj të klubeve, në mënyrë që të ndihmojë federatat anëtare në raste se anullohet kampionati apo Kupa”, shkruhej në komunikatën e sotme të UEFA-s. /vipsport/