Federata Shqiptare e Futbollit ka treguar se mund të organizojë aktivitete të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, teksa së fundmi, UEFA i ka besuar institucionit të futbollit shqiptar pritjen e ndeshjeve të grupit G të turit paraeliminator të Futsal Champions League 2022/2023.

UEFA hodhi këtë të enjte shortin për fazën para-eliminatore të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë në futbollin e sallës, ku vendi ynë do të përfaqësohet nga Tirana Futsal, që u shpall kampione e këtij edicioni në kampionatin e Futsallës në Shqipëri.

Ekipi kryeqytetas është shortuar në grupin G, së bashku me Differdange (Luksemburg), Apoel (Qipro), dhe Belfast United (Irlandë e Veriut). Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri në datat 23-28 gusht, teksa në ditët në vijim do të përcaktohet edhe kalendari i ndeshjeve me datat kur do të zhvillohen këto përballje. Në këtë fazë marrin pjesë 32 skuadra të ndara në 8 grupe me nga 4 skuadra secila, teksa vendi i parë i çdo grupi avancon për në fazën tjetër.

Edhe vitin e kaluar FSHF mirëpriti ndeshjet e Grupit C ku bënin pjesë Tirana Futsal, Haladás VSE (HUN), FC Differdange 03 (LUX) dhe Utleira Idrettslag (NOR), duke treguar një nivel të lartë organizimi dhe duke përmbushur me sukses pritshmëritë e UEFA-s.

Organizimi i këtyre ndeshjeve në vendin tonë vjen pas finales së suksesshme të UEFA Conference League, si edhe disa turneve zhvillimorë moshash në vendin tonë, ku FSHF-ja ka treguar seriozitet dhe besueshmëri ndaj qeverisë së madhe të futbollit europian.