Fitorja 2-0 ndaj San Marinos ka bërë që Shqipëria të regjistrojë një seri ndeshjesh si asnjëherë më parë në historinë e saj. Edhe pse kundërshtarët që ka pasur përballë kohët e fundit, me përjashtim të Anglisë, nuk kanë qenë nga ata të niveleve më të larta të futbollit europian, përsëri ngjitja në Ligën B në Ligën e Kombeve dhe pozicionimi në vendin e tretë në grupin kualifikues të Botërorit 2022, ka tërhequr vëmendjen e UEFA-s, ashtu si edhe të tifozëve të ndryshëm.

UEFA, në faqen e saj në Facebook ka bërë pyetjen “Sa e mirë është kjo Shqipëri?”, duke kujtuar se kuqezinjtë në 6 ndeshjet e fundit që kanë luajtur jashtë fushës së tyre në sfidat zyrtare (Moldavi, Bjellorusi, Kazakistan, Lituani, Andorra dhe San Marino), janë të pamposhtur dhe nuk kanë pësuar asnjë gol. UEFA kujton gjithashtu se kanë fituar 2 nga 3 ndeshjet e kualifikueseve dhe aktualisht mbajnë vendin e tretë në grup.

Përgjigjet e tifozëve kanë qenë ndër më të ndryshmet. Një pjesë e tyre kanë kujtuar se kjo seri ndeshjesh, ishte regjistruar ndaj skuadrave më të dobëta teorikisht, ndërsa dy sukseset e fundit ishin ndaj emrave si Andorra e San Marino që cilësohen ndër skuadrat më të dobëta të kontinentit.

Ndërkohë, të tjetër pritnin të jepnin vlerësime pasi ta shihnin në veprim në shtator, në ndeshjet kundër Polonisë e Hungarisë që teorikisht janë rivalet e kuqezinjve për pozicionin në podium. Sigurisht, kishte edhe mes atyre që shprehnin entuziazmin për pikët e siguruara deri tani, e pritnin edhe më shumë të tilla në sfidat e radhës të përfaqësueses. /vipsport/