Mauricio Poçetino kërkon të fitojë sot trofeun e parë në Angli dhe të harrojë disi sezonin e parë zhgënjyes në stolin e Çelsit.

Trajneri argjentinas është i ndërgjegjshëm për faktin se Liverpuli do të jetë favorit të dielën në “Uembli”, në finalen e Kupës Karabao, por garanton se Çelsi është përgatitur për gjithçka, madje edhe për goditjen e penalltive në rast se ndeshja do të shkojë deri aty, ndërsa ai u shpreh: “Kemi ardhur dy herë në finale kundër Liverpulit në ‘Uembli’ dhe jemi mundur dy herë gjatë sezonit 2021-22. Ne jemi stërvitur rregullisht për ato këtë javë. Gjithmonë gjuajmë penallti në stërvitje. Disa trajnerë thonë se nuk mund ta ushtrosh të njëjtin stres siç do ishte në një ndeshje të vërtetë. Por sigurisht që është pjesë e idesë tonë për të praktikuar penalltitë”.

FORMACIONI – Argjentinasi zbuloi edhe se e ka vendosur portierin që do të mbrojë portën: “Po, 99% e kam vendosur. A u kam treguar lojtarëve ekipin? Ende jo, për shkak të lidhjes dhe komunikimit. Sepse mendoj se mund të ndodhin gjëra. Ekipi im është në kokën time. Preferoj t’ua tregoj nesër ose ndoshta pasnesër. Sepse nëse them nesër, ju do të përpiqeni të gjeni më shumë informacion!”.

Tekniku i bluve duhet të prishë edhe një mallkim, me skuadrën që drejton e cila i ka humbur pesë finalet e fundit në “Uembli”: “Një finale fillon dhe mbaron, por kaq. Ju e arkivoni atë në autobus. Asnjëherë finalet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Është histori. Sigurisht që njerëzit i kushtojnë vëmendje statistikave. Por ne, kur jemi duke u përgatitur, nuk mendojmë se çfarë ka ndodhur një vit më parë, dy vjet më parë dhe tri vite më parë”.

Pastaj edhe një koment për mungesat e shumta të Liverpulit në këtë fazë të sezonit: “Unë e kuptoj gjithnjë situatën e dëmtimeve. Nuk më pëlqen kurrë të shoh kundërshtarin të vuajë dëmtimet dhe sigurisht që kemi empati për ta. Ne i kuptojmë, sepse jemi gjetur në këtë situatë që prej nisjes së sezonit. Por ti duhet të gjesh gjithnjë zgjidhje. E kuptoj, rrethanat ndoshta nuk janë të lehta sot për kundërshtarin, por konkurrenca është konkurrencë. Nuk mund të fajësojmë apo ankohemi, lojtarët do të luftojnë dhe Liverpuli do të jetë Liverpuli”.