Bylisi nuk arriti që të mposhtë Laçin në një duel shtëpie, me ballshiotët që zhvilluan lojë, krijuan një mori rastesh dhe në fund dolën me humbje. Një alogjikë e futbollit, por që në Ballsh janë duke përjetuar tashmë një realitet, që as nuk e kishin e menduar më parë.

Shtatë javë kampionat dhe vetëm një pikë. Një ecuri dhe pikavarazh i tillë as nuk mendohej nga ballshiotët në javët e para. Bylisit sa vjen e i vështirësohet situata dhe sikur të mos mjaftojë ecuria, ajo që ndikon më shumë janë edhe mungesat thuajse në çdo javë.

Tre titullarë i munguan skuadrës së trajnerit Arian Bellai dhe më konkretisht Antoni Beji, që është një nga lojtarët e spikatur të Bylisit të viteve të fundit e po ashtu edhe Xhoele Maçolli apo dhe braziliani Eskuerdinja, që spikat me asistet në mesfushë.

Bylisin e presin dy ndeshje brenda një harku kohor prej një jave, me mallakastriotët, që do të ndeshen me ekipet e Egnatias këtë të premte dhe më pas me Erzenin e Shijakut. Në fakt, ballshiotët kanë treguar dhëmbët ndaj çdo ekipi, ndërsa në dy takimet e fundit zyrtare të kampionatit për vitin 2022, skuadra e Arian Bellait do të kërkojë të bëj maksimumin edhe pse do të ndeshet me dy nga ekipet më në formë të elitës.

Këto dy beteja janë edhe si një provë për stafin, për me tepër që trajneri Bellai u shpreh se do të ulet të diskutojë me presidencën për të ardhmen. Ndërkohë, edhe lojtarët i kanë si finale të dyja sfidat e radhës. Ndaj edhe në Ballsh tashmë kanë nisur qe të bëjnë llogari për të tashmen, por edhe të ardhmen e garës.