Largimi i Thomas Brdariç, ka prodhuar diskutime të shumta në Shkodër. Jo vetëm nga tifozët shkodranë, por tashmë pas ndeshjes së humbur kundër Tiranës, edhe gazetarët në studiot televizive, kanë nisur të shprehen kundër Brdariç.

Admir Uruçi, një nga gazetarët sportiv shkodran, është ai, i cili në studion e “Sport Show” në TV1-Channel, është shprehur se largimi i Brdariç ishte diçka e paralajmëruar dhe tha se ky largim sipas tij, ka ardhur shumë vonë.

“Largimi i Brdariç, ishte diçka e paralajmëruar. U paralajmërua qysh të shtunën dhe ai që ka pasur pak njohuri nga intervistat e dhëna nga z. Xhaferi, ashtu edhe Brdariç, pothuajse ishte gjithçka punë e kryer, që në mbarimin e ndeshjes, pra për një prishje të bashkëpunimit.

Unë them se është shumë vonë largimi i Brdariç. Eshtë dashur më herët për të ikur Brdariç, mendim personal ky.

Brdariç ka meritën më të madhe, për atë ç’ka dha vjet te Vllaznia. Si e çoi atë Vllazni nga vendet e fundit, në luftë për titull kampion deri në javën e fundit dhe e mbylli vetëm në sajë të golavarazhit për të mos qenë kampion në javën e fundit.

Fitoi një kupë Shqipërie, të cilën kishin vite, pa e sjellur në Shkodër, por për t’u kthyer tek sezoni që jemi sot, unë mendoj se Brdariç, ka një peshë të madhe të fajit të situatës së Vllaznisë, në të cilën gjendet. Do të thoja se unë nuk jam pro largimit të asnjë trajnerit dhe asnjë titullari, sepse është institucion në rradhë të parë.

Vllaznia është më shumë se Kryeministria për Shkodrën, është futbolli shkodran që ka vendin e parë, por nuk jam pro të largimit të asnjë titullarit në gjysmën e rrugës, por ta përfundojnë totalisht atë. Megjithatë, kur sheh se nuk ka çfarë të japë më dhe kur sheh që ato gjëra që një shkodran i thjeshtë, i cili ka luajtur sadopak futboll, i ka vënë re që në momentin e parë, që ka parë formacionin e ndeshjes me Tiranën.

Pra, kur sheh që situata nuk është nën kontrollin e tij, aq më tepër ne që jemi brenda, e shohim që situata nuk është në kontrollin e tij. Aq më tepër ne, që e shohim dhe e dimë si është situata në stadium.

Një trajner që çdo javë, nuk cilëson aty ku çaloi ekipi dhe ku janë problematikat e këtij ekipi, por merret me fushën, merret me gjykimin, pra është një humbje vëmendje dhe një dalje e situatës jashtë kontrollit. Një trajner i cili, në këtë sezon, nuk ka qenë ai i vitit të shkuar. Nuk e di, a ka pasur kufizime.

Këto janë gjëra që i takojnë atij dhe mund të flasin dhe ta sqarojnë më mirë situatën. Nuk i di problematikat se çfarë mund të ketë brenda, sepse mund t’i dinë ai më mirë se gjithkush tjetër, por dihet se çfarë kemi parë.

Një trajner, i cili shahet nga lojtarët e tij. Një trajner, i cili i kërkohet të mos jetë në fushë apo 18-she fare.

E thashë edhe njëherë, për mua Brdariç, kishte bërë që në janar, të mos ishte më trajner i Vllaznisë. Një mësues që nuk mban qetësi në klasën e vet, nuk ka çfarë kërkon nga presidenti.

Më burrërisht, është të ikësh, se sa të hiqesh. Eshtë hera e parë në karrierën time prej 25 vitesh në gazetarinë sportive, që një president, pranon që ka dy muaj rroga pa u dhënë lojtarëve, mund të jenë edhe tre, mund të jenë edhe katër, këtë nuk e di, por dy muaj e pranon vetë presidenti

Xhaferi, që i kam lojtarët pa u dhënë rroga. Eshtë i vetmi president. Nuk dëgjojmë asnjë klub shqiptar, që thotë, ka ekip pa marrë rroga. Alban Xhaferi duhet vlerësuar për çfarë tha”,-tha gjatë prononcimit të tij, gazetari sportiv, Admir Uruçi.
Maringlen ZHIVANI