Kombëtarja shqiptare do të luajë pas katër ditësh në miqësoren e radhës, por këtë herë në Tiranë, në stadiumin “Air Albania” dhe në një ndeshje kundër Italisë, me tifozë dhe transmetim, ndryshe nga dy miqësoret e luajtura me Katarin dhe Arabinë.
Nëse këto të fundit ishin një test për lojtarët e kampionatit vendës, atëherë me Italinë në detyrë do të kthehen “senatorët”. Aktualisht, Edi Reja, nuk do të ketë në dispozicion lojtarë si: Tomas Strakosha, i cili është i dëmtuar, Klaus Gjasula po ashtu, Frederik Veseli dhe Kastriot Dermaku.
Në sulm Rei Manaj sapo është kthyer dhe nuk mund të rrezikojë, teksa në mesfushë në dyshim janë Qazim Laçi, Endri Çekiçi dhe Amir Abrashi, të cilët kanë pasur shqetësime.
Një mungesë me shumë mundësi do të jetë edhe ajo e Myrto Uzunit, i cili është i angazhuar me klubin e tij Granada dhe do t’i hapë vendin Redon Xhixhës.
Ditën e sotme Reja do të shpallë edhe listën e lojtarëve, ku një prej tyre mund të jetë edhe Kallaku i Tiranës dhe gjithashtu i konfirmuar është Taulant Seferi.