Myrto Uzuni, djaloshi i artë i Ferencvaroshit, synon fitoren në Europa League edhe kur përballë ka një skuadër me traditë si Celtic. Përtej dëshirës dhe emocioneve, sulmuesi i Kombëtares shqiptare tregon në një intervistë për gazetarin e Oversport, Olsi Tujani, edhe mënyrën se si mund t’ia dalin këtë të enjte kampionët e Hungarisë që të marrin rezultat pozitiv. Beratasi veçon edhe 3 nga 100 golat që ka arritur një karrierën e tij.

Keni arritur kuotën e 101 golave në karrierë. E kishit menduar se do ia dilnit në një moshe kaq të re?
-Jam shumë i gëzuar. Jam shumë i lumtur që puna e madhe që kam bërë dhe bëj çdo ditë, po më shpërblehet me golat. Për t’u theksuar është edhe fakti që unë nuk luaj si sulmues qendror, por si një mesfushor anësor me tipare sulmuese. Megjithatë, edhe duke luajtur në këtë rol, punoj shumë në mënyrë që të realizoj njësoj.


Kë veçoni prej këtyre golave?

-Së pari, do të veçoja golin që kam shënuar kur isha pjesë e Laçit në ndeshjen kualifikuese kundër Anorthosis në Laç. Së dyti, golin ndaj Betisit të realizuar në Europa League. Së treti, golin që kam shënuar në Torino ndaj Juventusit në Champions.


Në fundjavë ishit si sulmues i parë dhe shënuat. Si u ndjetë?

-Nuk e kam problem këtë gjë. Por, nëse do të zgjidhja do të preferoja që të luaja nga pas sulmuesit në krahë dhe mund të bëj atë që kam dëshirë, të jem më tepër i përfshirë në ndeshje.

Në dy ndeshjet e fundit kam qenë në majë të sulmit, kam shënuar në të dyja dhe ndihem më i lirshëm, pa shumë detyra taktike mbrojtëse dhe të gjithë energjitë e mija i shfrytëzoj në hapësirën sulmuese.

Megjithatë, rëndësi ka që të jem në fushë dhe të jap kontributin tim për skuadrën. Për mua, sidoqoftë, nuk ishte aspak e re, pasi edhe në Kombëtaren shqiptare unë luaj si qendër sulmues dhe jo vetëm si anësor, ndaj nuk përbën problem.


Sa e vështirë ishte kjo ndeshje?

-Vuajtëm shumë për të marrë 3 pikët. Kjo, sepse kundërshtari u mbrojt shumë mirë dhe dhjetë lojtarët e tyre qëndronin në zonën e 16 metrave. Ne ishim të përgatitur për këtë lojë, ndaj duke sulmuar gjatë gjithë kohës kishim besimin që goli do të vinte.

Përballë një skuadër si Celtic në Europa League. Çfarë përgatitje speciale duhet për ndeshje të tilla?

-Asgjë! Nuk ka nevojë për një motivim ekstra, pasi në çdo ndeshje, futem me të njëjtin mendim dhe të njëjtën dëshirë për të bërë maksimumin tim. Mjafton që ne të mbështesim njëri-tjetrin në fushë dhe e kemi forcën për të bërë mirë. Duhet që të përmirësojmë gabimet që bëmë në Glasgoë. E di që nuk do të jetë aspak e lehtë, por kam besim se do t’ia dalim të marrim një rezultat pozitiv. Është një ndeshje e madhe dhe uroj që të shënoj.

Si shënohet në ndeshje të tilla, çfarë nevojitet?

-Nëse skuadra do të më shërbejë mjaftueshëm me topa dhe nëse do të kem fat, besoj se mund t’ia dal. Do bëj më të mirën time për këtë. Nëse ne luajmë me zgjuarsi, me shpejtësi si taktikisht dhe teknikisht, besoj se do të kemi shanset tona për të shënuar dhe për të fituar. Kemi cilësi në skuadër dhe jemi një grup i fortë në dhomat e zhveshjes si dhe në fushë.


Do të ishte rezultat i mirë edhe një barazim në këtë përballje?

-Jo! Dëshiroj që të fitojmë.


Çfarë ju ka bërë përshtypje më së shumti në Skoci?

-Mënyra se si e mbështesin ekipin tifozët atje. Njerëzit në Skoci jetojnë me futbollin. Nuk ishte aspak e lehtë që të luaje kundër 50 mijë tifozësh të zjarrtë në stadium. Unë kam besim që edhe tifozët tanë do të krijojnë të njëjtën atmosferë këtë ndeshje, në mënyrë që ta kemi si një armë të shtuar në këtë përballje.


Uzuni, a mendoni se ka përfunduar periudha e “stazhit” në Hungari për ju dhe a është koha për një hap të madh në karrierën tuaj?

-Unë ndihem shumë mirë te Ferencvaros. Qyteti është i bukur dhe njerëzit më duan. Megjithatë, unë kam dëshirë që të bëj sa më mirë në kampionat dhe Europë. Të shënoj sa më shumë për ekipin dhe të largohem në një kampionat më të fortë.


Keni oferta konkrete?

-Për momentin nuk mund të flas për këtë. Ajo që mund të them është se duhet të shënoj shumë gola dhe të kem vazhdimësi.

Keni shënuar në Champions. Keni shënuar edhe në Europa League. Përveçse në Hungari, Kroaci, Superiore dhe me Kombëtaren. Ku e ëndërroni golin e radhës?

-Nesër kundër Celtic (qesh…). / oversport.tv