Mesfushori shkodran Armando Vajushi ka qenë i pafat sot për të shënuar në ndeshjen e kupës së Bullgarisë ndaj Lokomotivës së Plovdivit teksa ka goditur shtyllën dhe po ashtu ka humbur edhe një tjetër rast të pastër. Megjithatë ai ka dhënë kontributin e tij në fitoren 2-0 të Liteksit dhe kalimin në turin çerekfinal të kësaj skuadre. Ndeshja është luajtur në stadiumin e qytetit të Lovechit dhe ka qenë e kthimit për këtë tur të kupës së Bullgarisë.
Ndeshja e parë e luajtur në Plovdiv ishte mbyllur në barazim 0-0 dhe në këtë mënyrë me fitoren e sotme Liteksi është një nga tetë skuadrat më të mira të këtij vendi që do të luftojë për fitimin e kupës. Vajushi në fillimin e pjesës së dytë ka arritur të godasë edhe shtyllën në një moment ndërkohë që në minutën e 54-të pasi ka marrë një top nga sulmuesi Isa ka goditur fort në drejtim të portës dhe vetëm ndërhyrja e portierit kundërshtar mbi vijën e portës e ka ndaluar topin pa shkuar në rrjetë. Pas këtyre dy momenteve kur rezultati i ndeshjes ka qenë 1-0 për Liteksin, trajneri Stoiçkov e ka zëvendësuar Vajushin megjithatë e ka përgëzuar për lojën e zhvilluar.
www.shkodrasport.com